Maqedoni
Anevski: Janeva ka përjashtuar dy prokurorë nga ekipi i saj
26.01.2016 16:26
Prokurorja speciale, Katica Janeva, ka përjashtuar nga ekipi i saj dy prokurorë publik, bëri të ditur kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski...

Prokurorja speciale, Katica Janeva, ka përjashtuar nga ekipi i saj dy prokurorë publik, bëri të ditur kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, në seancën e sotme, ku në rend dite ishte puna e Prokurorisë Speciale.
Ai shprehet se dy prokuroret, Lejla Kadriu dhe Marija Gjorgjevska, janë ankuar deri te Këshilli se Janeva i ka përjashtuar nga puna pa asnjë arsyetim, ndërsa nga zyra e Janevës përmes një letre të dërguar kanë njoftuar se prokuroret janë larguar me vetëdëshirë, por edhe për shkak të vëllimit të vogël të punës për momentin.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, tha se është sjellë vendim që një komision prej tre anëtarësh të hetojë se si janë përjashtuar dy prokurorë nga ekipi i prokurores speciale, Katica Janeva.
“Të gjithë do të dëgjoni dhe do të habiteni, sepse prokurorja speciale Janeva ka përjashtuar dy prokurorë pa asnjë vendim paraprak dhe pa asnjë procedurë, thjesht i ka larguar vetëm duke ju thënë se më nuk janë pjesë e ekipit. Ndërsa dje morëm letër nga Prokuroria Speciale se ato vetë kanë kërkuar të largohen dhe se nuk kanë pasur shumë punë”- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
Anevski pyeti se si është e mundur që Janeva të përjashtojë prokurorë nga ekipi i saj kur vetë ajo në fillimin e formimit të kësaj Prokurorie ka insistuar në numër të madh të prokurorëve edhe pse edhe atëherë Këshilli ka menduar se janë shumë.
Në pyetjen e gazetarëve se pse Janeva nuk u ftua në seancë, Anevski theksoi se është sjellë vendim që ajo të marrë pjesë në seancën e ardhshme për ta arsyetuar punën e saj të deritanishme dhe do të kërkohet llogari për atë se si ka vepruar në rastin me dorëzimin e materialeve të përgjimeve joligjore nga ana e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërkohë, nga Prokuroria Speciale thonë se kanë pritur të ftohen në seancë, meqë diskutohet për punën e tyre për të dëgjuar pikëpamjet e të gjithë aktorëve që kanë qenë objekt diskutimi.
SANIJE KASAMI
