Botë

Pastrimi i listave zgjedhore, në një tryezë Rama, Meta e Basha

26.01.2016 16:46

Teksa ka mbetur një vit deri në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, kundërshtarët politik janë mbledhur në të njëjtën tryezë...

Kryeministri, Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, kanë hedhur idenë e një kodi të ri zgjedhor. Kryeministri Rama tha se është i nevojshëm konsensusi i të gjitha palëve për të realizuar siç duhet reformën zgjedhore.
 
“Në zgjedhjet e viteve 2009 dhe 2011 u pengua në mënyrë brutale transparenca. Situata ka filluar të ndryshojë. Proceset zgjedhore të viteve 2015 dhe 2013 janë të gjithëpranuara nga vetë zgjedhësit”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Ndërsa lideri i opozitës, Lulzim Basha, akuzoi dy kundërshtarët politik për blerje votash.
 
“Establishmenti aktual nuk është në gjendje të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, pasi parakusht është që qeveria teknike të ulet pa paragjykim për të nesërmen”- tha kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
 
Në fjalën e tij kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, tha se politikanët shqiptarë nuk e pranojnë dot lehtë humbjen në zgjedhje, duke shtuar se ky është një tipar i mbarë ballkanasve.
 
Sipas tij, reforma për drejtësi do të ndihmojë edhe për zgjedhjet, në mënyrë që të burgosen ata që blejnë votat.
 
“Kjo reformë po zhvillohet në një kohë kur ne besojmë se me përpjekje të përbashkëta do realizojmë edhe reformën në drejtësi. Këto reforma po i bëjmë më partnerët tanë, ShBA, BE dhe OSBE që na kanë ndihmuar historikisht”, theksoi kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Ambasadorët e huaj kërkuan që kriminelët t’i mbajnë duart larg nga kutitë e votimit, ndërsa kërkuan përmirësimin e kodit zgjedhor. Shqipëria do t’u nënshtrohet zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2017.
 
LULJETA NDOKA