Maqedoni
NPK “Tetova Tetovë” ankohet se djegia e kontejnerëve dëmton NPK-në dhe qytetarët
26.01.2016 16:58
Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova Tetovë” vitet e fundit po ballafaqohet me një dukuri negative...

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova Tetovë” vitet e fundit po ballafaqohet me një dukuri negative, ku disa qytetarë djegin kontejnerët e plastikës së bashku me mbeturinat në to.
Kjo sjellje e pahijshme nga ana e tyre ndërmarrjes i kushton shumë në aspektin financiar, e cila për furnizimin e një kontejneri duhet të shpenzojë diku rreth 300 euro.
Brenda një viti në Tetovë janë djegur mbi 80 kontejnerë plastike, shprehet drejtori i NPK “Tetova Tetovë”, Xhelal Ceka.
“Kjo dukuri negative përveç se dëmton ndërmarrjen, njëkohësisht dëmton edhe qytetarët, për arsye se këto mjete janë nga qytetarët dhe bashkërisht ne duhet të kujdesemi që hedhja e cigareve dhe mjeteve shpërthyese dhe e prushit mos të bëhet në kontejner”- deklaroi drejtori i NPK-së “Tetova Tetovë”, Xhelal Ceka.
Përndryshe, disa qytetarë të anketuar për TVM2 theksuan se kjo dukuri është e papranueshme për ta, pasi që ne të gjithë duhet të kontribuojmë në ruajtjen e pastërtisë dhe ambientit ku jetojmë.
“Ajo nuk është një punë e mirë, ajo është për të gjithë një punë e keqe edhe për popullatën edhe për rrugët, është e pamundshme që ata njerëz ta bëjnë atë punë, po shpresoj mos të jetë ashtu. Ata të rinj duhet t’i ruajnë ata kontejnerë dhe rrugët të ruhen të pastra në nivel dhe jo të ndodhë e kundërta”- tha një banor.
“Vlerësimi im është se pandërgjegjësia e qytetarëve dëmton rininë, popullatën, që doemos do ta kenë ta përdorin këtë ajër që ekziston në Tetovë. Është shumë negative, po popullata duhet kohë që të vetëdijesohet dhe të kuptojë që ballafaqohet me rrezikun që çdo ditë e kemi në Tetovë”- u shpreh një banori.
Nga sektori për punë të brendshme në Tetovë theksuan se janë duke punuar në kapjen e personave të cilët dëmtojnë ambientin dhe ata pastaj të ballafaqohen me ligjin.
Nga ana tjetër edhe NPK ''Tetova Tetovë'' u bën thirrje qytetarëve që të mos hedhin mjete shpërthyese dhe cigare në kontejnerë, sepse përveçse i shkaktojnë dëme ndërmarrjes publike, i rrezikojnë edhe kalimtarët e rastit.
VISAR SADIKI
