Maqedoni
Deklarata e Gruevskit, analistët: Pjesë e fjalimeve parazgjedhore
26.01.2016 17:33
Deklaratë parazgjedhore për të inkurajuar anëtarësinë e partisë. Si të këtillë, analistët politik të vendit, Albert Musliu dhe Petar Arsovski...

Deklaratë parazgjedhore për të inkurajuar anëtarësinë e partisë. Si të këtillë, analistët politik të vendit, Albert Musliu dhe Petar Arsovski, e cilësojnë deklaratën e fundit të ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, se ndërmjetësi, Piter Vanhaute, dhe prokurorja speciale, Katica Janeva, janë bashkëpunëtorë të LSDM-së që nëpërmjet gënjeshtrave dhe krimit ta sjellin atë në pushtet.
Musliu thotë se në deklaratë nuk mungojnë as tendencat për të minimizuar autoritetin e Katica Janevës. Arsovski pohon se bëhet fjalë për një deklaratë euforike.
"Çdo tendencë që asaj t'i stigmatizohet, t'i minimizohet autoriteti është në një mënyrë dhe tendencë që të nënvlerësohet puna e saj me qëllim që efekti i punës së saj të jetë sa më i vogël për partinë në pushtet"- deklaroi analisti politik, Alber Musliu.
"Në këtë rast bëhet fjalë për fjalim politik para anëtarësisë partiake, i cili në esencë është i liruar nga nevoja e korrektësisë politike, andaj edhe porositë janë më të forta, por kjo më së paku mund të etiketohet si deklaratë jokorrekte politike"- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
Pas deklaratës së Gruevskit, prokurorja speciale, Katica Janeva, nga MPB kërkoi sigurim personal për të gjithë prokurorët në ekipin e saj. Ndërmjetësi belg, Piter Vanhaute, nuk e komentoi shumë deklaratën e Gruevskit, ndërkohë që ambasadori i BE-së, Aivo Orav, ftoi të gjithë nënshkruesit e marrëveshjes politike të mbështesin punën e Katica Janevës.
"Unë e kuptoj mungesën e vullnetit të tij që nëpërmjet reagimeve të bëhet pjesë e folklorit politik të Maqedonisë, ndërsa ambasadori, Aivo Orav, me deklaratën e tij e tregon edhe një herë mbështetjen të cilën Katica Janeva e ka tek faktori ndërkombëtar. Mendoj se ajo është një deklaratë e mirë dhe deklaratë e cila është në drejtim të inkurajimit të Katica Janevës, që pavarësisht sulmeve që do t’i ketë ajo do vazhdojë me punën e vet"- tha analisti, Alber Musliu.
"Bashkësia ndërkombëtare tani është vënë para një situate në të cilën VMRO -DPMNE dhe Gruevski forcojnë retorikën ndaj punës së tyre. Ata do të vihen në situata të vështira se si do të riafirmojnë mbështetjen e tyre në Maqedoni, pasi që është evidente se pushteti nuk pëlqen punën që ata bëjnë"- u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.
Dy ditë më parë ish kryeministri, Nikolla Gruevski, në kongresin e grave të VMRO-DPMNE-së deklaroi se “dikush mundohet të vijë në pushtet me mashtrim, duke bashkëpunuar me shërbime sekrete të huaja, me kriminelë, falsifikatorë, çausha, Vanhojta, Katica dhe shitës të mjegullave”.
MERAL ISMAILI
