Maqedoni

LSDM reagon ndaj deklaratës së Hahn: s`ka zgjedhje cilësore pa mundësi të barabarta

26.01.2016 18:02

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, përmes një komunikate me shkrim ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të komisarit Han...

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, përmes një komunikate me shkrim ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të komisarit Han, që me rëndësi janë zgjedhjet të jenë cilësore dhe jo pjesëmarrja e të gjitha subjekteve politike.

“Komisarit për zgjerim të BE-së, Johanes Han, duhet t’i bëhet e qartë se nuk do të ketë zgjedhje cilësore pa mundësi të njëjta për të gjitha subjektet politike që në mënyrë të barabartë të marrin pjesë në procesin zgjedhor, si dhe qytetarët lirshëm të kenë mundësi ta japin votën e tyre në zgjedhje”, thuhet mes tjerash në kumtesën partiake të LSDM-së.

“Pa realizimin e tërësishëm të marrëveshjes nuk ka kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike”, thuhet më tej në reagim.

LSDM më tej përkujton se projekti “E vërteta për Maqedoninë’ dëshmoi se si VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski i organizojnë zgjedhjet me krim  dhe korrupsion, përmes presioneve, kërcënimeve, votuesve fantom dhe falsifikimit të letërnjoftimeve”.

“Është e patjetërsueshme pastrimi i listës zgjedhore dhe reformat në media”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së ndaj deklaratës së komisarit, Johanes Han.