Maqedoni
KShZ miraton planin operativ për kontrollin e të dhënave
26.01.2016 18:09
Tre ekipe nga IT kompani të ndryshme dhe ekspertë të zgjedhur, nga të cilat dy vendore dhe një ndërkombëtare...

Tre ekipe nga IT kompani të ndryshme dhe ekspertë të zgjedhur, nga të cilat dy vendore dhe një ndërkombëtare, janë pjesë e planit operativ që miratoi sot Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, me të cilën do t’i qaset kontrollit të trefishtë, duke shfrytëzuar të dhënat e njëjta bazë pas miratimit të metodologjisë nga partitë politike për pastrimin e regjistrit zgjedhor.
Bëhet fjalë për të dhëna të cilat do t’i marrim nga dhjetë institucione shtetërore, që tanimë janë realizuar kontakte, tha kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
“Ideja është që IT ekspertët të na ndihmojnë gjatë përgatitjes organizative-teknike gjatë kontrollit. Që të shmanget subjektivizmi dhe zvarritja e gjithë procesit vendosëm që implementimin ta kryejnë tre IT ekipe. Pas këshillave të IT ekspertëve, gjatë përgatitjes për implementimin e dy metodologjive, të cilat do t’i miratojmë pas harmonizimit të qëndrimeve të katër partive politike, duam të futemi në proces të zgjedhjes së tyre, që të jemi të gatshëm për implementim”- deklaroi kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
Në listën e institucioneve, prej ku do t’i merr të dhënat KSHZ-ja, janë: Fondi për Sigurim Shëndetësor, Agjencia për Punësim, Regjistri Qendror, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Agjencia e Kadastrës, Drejtoria për Udhëheqjen me të Dhënat Amë, Drejtoria e të Hyrave Publike, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Banka Popullore e Maqedonisë.
KShZ gjithashtu miratoi edhe kushtet të cilat do të duhet t’i përmbushin kompanitë dhe ekspertët që do të kyçen në procesin e kontrollit, rregulloren e punës lidhur me organizimin dhe sistematizimin e brendshëm të saj, si dhe konkluzën për angazhimin e 10 kuadrove me afat të caktuar pune.
Ndryshe, anëtarët e KShZ-së ngritën edhe shqetësimin lidhur me numrin e votuesve nëpër njësi zgjedhore, i cili kalon shifrat që parashikon ligji prej plus-minus 5%. Këtë çështje anëtarët e KShZ-së u dakorduan ta shqyrtojnë veçmas në mbledhjen e radhës.
NAIM RAMADANI
