Botë
Dhjetë policë afganë janë vrarë nga kolegu i tyre, taleban i infiltruar
26.01.2016 19:23
Një kryengritës taleban i cili ishte infiltruar në radhët e policisë në provincën e trazuar jugore afgane Uruzgan...

Një kryengritës taleban i cili ishte infiltruar në radhët e policisë në provincën e trazuar jugore afgane Uruzgan, sot ka vrarë dhjetë kolegët e tij. Ky është incidenti i dytë i këtij lloji në dy javët e fundit në provincën Uruzgan.
Aksioni i policisë për kapjen e të dysharit është duke vazhduar.
Autoritetet thonë se ka të ngjarë që ai mund të ketë lidhje me talibanët.
Një zëdhënës i talebanëve e ka konfirmuar incidentin e sotëm dhe ka shtuar se militantët kanë marrë nën kontroll një stacion të policisë në qarkun Çinarto.
Mediat botërore thonë se sulmi është pjesë e fushatës dimërore të talibanëve në të gjithë vendin, pavarësisht përpjekjeve për rifillimin e bisedimeve për paqe.
Të ashtuquajturat sulme të brendshme, kur ushtarët ose policët afganë drejtojnë armët drejt kolegëve të tyre apo trupave ndërkombëtare, kanë qënë një problem i madh gjatë viteve kur NATO-ja ka luftuar përkrah forcave afgane.
Më 17 janar, nëntë policë afganë janë vrarë në provincën Uruzgan nga katër kolegë të papërgjegjegjshëm, të cilët thuhet se kanë qenë të ndikuar nga talebanët./mia
