Maqedoni
“Freedom House”: Maqedonia, Shqipëria e Kosova, pjesërisht të lira
27.01.2016 13:44
Maqedonia mbetet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira edhe në raportin e vitit 2015 të “Freedom House”...

Në raportin e fundit për lirinë në botë, organizata vlerëson se Maqedonia në vitin 2015 ka marrë notë prej 3,5 dhe trend të uljes, i cili është falë aferës me përgjimet.
Sipas organizatës amerikane, në Ballkan ekziston ngecje dhe Maqedonia, Kosova dhe Bosnja kanë treguar mosfunksionalitet. Organizata thekson faktin që në Maqedoni, partia në pushtet është përfshirë, përpos të tjerash, në një skandal përgjimesh masive, duke krijuar hendek politik me opozitën, e duke nxitur ndërhyrjen e Bashkimit Europian për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Maqedonia përmendet në grupin e tre shteteve së bashku me Hondurasin dhe Malldivet të cilat kategorizohen si demokraci elektorale.
“Freedom House” e ka renditur edhe Shqipërinë në mesin e vendeve pjesërisht të lira. Organizata, që mbështet ndryshimet demokratike, monitoron gjendjen e lirisë dhe përkrah demokracinë e të drejtat e njeriut nëpër botë, në të njëjtën kategori vendos edhe Kosovën, ndërsa Serbia, këtë radhë është përfshirë në mesin e vendeve të lira.
Shqipëria rezulton me të njëjtën shkallë vlerësimi si më parë, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi. Renditja e Shqipërisë nuk shoqërohet me shigjetën, që tregon se cili besohet të jenë trendi në vazhdimësi.
Kosova, për të drejtat politike ka marrë notën 3, nga 4 sa ishte një vit më parë, ndërsa për liritë civile, vlerësimi është i pandryshuar në 4.
“Në Kosovë, deputetët kanë kundërshtuar njërën nga marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kanë penguar në vazhdimësi debatin parlamentar, duke hedhur gaz lotsjellës brenda Parlamentit dhe duke qëlluar me vezë zyrtarët qeveritarë”, thotë “Freedom House”, duke iu referuar krizës politike në Kosovë për shkak të mospajtimeve rreth marrëveshjes së arritur në bisedimet me Serbinë, për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Freedom House” nënvizon faktin se, 2015-a ishte i dhjeti vit me radhë, gjatë të cilit është shënuar rënie e lirive në shkallë botërore, duke përmendur këtu dhe sulmet terroriste.
Në raport përfshihet edhe ajo, që grupi e sheh si paaftësi të Europës për t’u përballur me valën e emigrantëve nga Siria e zona të tjera konflikti.Raporti shqyrton situatën në 195 vende, 86 nga të cilat janë radhitur si të lira, 59 si pjesërisht të lira dhe 50 si jo të lira.
BELINDA KOKA-ADEMI
