Maqedoni

Analistët në “Argument”: Pastrimi i Listës Zgjedhore, të mos dëmtojë mërgatën shqiptare

27.01.2016 15:35

A do të pastrohet lista zgjedhore deri më 24 prill kur edhe parashikohet mbajtja e zgjedhjeve të 24 prillit, do të varet nga më shumë faktorë...

Bashkëbiseduesit në emisionin “Argument”,  me qëndrimet e tyre se lista zgjedhore mund por edhe jo të pastrohen si pasojë e mungesës së vullnetit politik.
 
Subhi Jakupi, anëtarë i KSHZ-së thotë se pastrimi më i besueshëm në këtë periudhë mund të bëhet vetëm nëpërmjet metodologjive që ka përpiluar KSHZ,  të cilat tani janë në duar të partive politike.
 
“Ne jemi drejtuar dy herë me shkresë deri tek partitë politike, dhe nëse ato nuk japin pëlqim atëherë KSHZ duhet vetë ti miratojë ashtu siç i kemi përpiluar që procesi zgjedhorë të ecë meqë ne si KSHZ kemi kompetencë, kemi obligim që ne të marrim të gjitha masat, hapat të jemi në harmoni me dispozitat që rrjedhin nga kodi zgjedhor e ato janë organizimi i zgjedhjeve në aspektin tekniko organizativ të çështjes me të cilën ka të bëjë me zgjedhjet dhe këto dy metodologjitë ne na çelin rrugën për të marrë hapat e mëtejmë”, tha Subhi Jakupi, anëtar i KSHZ-së.
 
Politikologu Bashkim Bakiu thotë se pastrimi I listës zgjedhore është i domosdoshëm por jo edhe domosdoshmërisht të pranohet çfardo metodologjie. Ai sugjeron partitë politike shqiptare të jenë më syçelë dhe të mos pranojnë metodologji e cila do të dëmtonte mërgatën shqiptare.
 
“Partitë politike duhet të jenë shumë të kujdesshme në veçanti partitë politike shqiptare ku me zgjedhjen e metodologjisë të gjindet metoda e cila nuk do ti vendosë në pozicion diskriminues sidomos mërgimtarët shqiptarë të cilët janë rezident të Maqedonisë për shkak se kjo mund të ketë refleksion madje edhe në numrin e deputetëve, në numrin e këshillatrëve nëpër komunat të cilat janë të përziera, madje mund të ketë rol determinues për ta përcaktuar fituesin sic ishte rasti i Kërçovës dhe i Strugës”, tha Bashkim Bakiu, politikolog.
 
Profesori universitar Jusuf Zeneli kosideron se pastrim I listës së votuesve është I mundur me kontributin e gjitha institucioneve por edhe vetë qytetarëve.
 
“Nëse ne do të lidhemi p.sh. me faktin se a do të arrijmë vallë që deri më 24 prill ti pastrojmë listat zgjedhore, mendoj se nuk kemi bërë shumë punë. E rëndësishme është që KSHZ, drejtoria e shërbimit tonë, MPB, I tërë zinxhiri i institucioneve, por përfshirë edhe ne si qytetar duke u marrë edhe ne me gjitha veprimet që i kontribuojmë këtij procesi unë mendoj se mund të arrihet për një periudhë më të shpejtë të pastrohet lista zgjedhore”, tha Jusuf Zejneli, profesor universitar. 
 
Gjithashtu u theksua rëndësia që paralelisht me pastrimin e listës zgjedhore të vendoset balans midis njësive zgjedhore në fitimin e mandateve të deputetëve.
 
Praktikat e deritanishme kanë qenë jofer pasiqë dy njësi të ndryshme zgjedhore kanë nxjerr numër të njëjtë deputetësh nga numër jo I njëjtë votuesish.
 
MERAL ISMAILI