Kristoffersen i specializuar për slalom
Skiatori norvegjez, Henrik Kristoffersen, është specializuar për fitore në sllallom...

Ai shënoi fitoren e gjashtë në sllallom gjatë këtij edicioni. Norvegjezi dëshmoi edhe një herë potencialin e hatashëm të tij në këtë disiplinë, duke triumfuar në Qendrën e Skive në Schladming të Austrisë.
Gara ishte shumë interesante e me kthesa dhe që ka mahnitur të pranishmit, për faktin se në rrëshqitjen e parë dominoi gjermani Felix Neureuther dhe pati kohën më të mirë për një sekondë e 10 qindtat se Kristoffersen. Mirëpo, në rrëshqitjen e dytë ndodhi mrekullia kur Kristoffersen nga pozita e tretë që ishte në rrëshqitjen e parë ia doli të shënojë fitore me kohë të kaluar 1:42,20 minuta ose për 61 qindtat qe më i shpejtë se kampioni në fuqi i botës, Marcel Hirscher.
Mrekullia e kësaj gare pa dyshim ka qenë Hirscher i cili në rrëshqitjen e dytë bëri sensacion, duke befasuar mbi 50 mijë shikues që ishin të pranishëm.
Në renditjen e përgjithshme të sllallomit, Kristoffersen kryeson me 680 pikë, i ndjekur nga Hirscher (500), ndërsa në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, Hirscher merr udhëheqjen me 969 pikë, duke lënë pas Aksel Lund Svindal (916), Henrik Kristoffersen (871), Kjetil Jansrud (621).
