Botë

Kriza e emigrantëve, Suedia do të kthejë 80 mijë refugjatë

28.01.2016 11:36

Autoritetet suedeze kanë në plan të dëbojnë 80 mijë azilkërkues nga vendi...

Ministri i Brendshëm suedez, Anders Ygeman, thotë se fillimisht bëhet fjalë për 60 mijë refugjatë, por numri mund të rritet deri në 80 mijë. Për depërtimin e të gjithë emigrantëve do të përdoren avionë çarter dhe kjo procedurë do të marrë disa vite kohë.
 
Gjatë vitit 2015, në Suedi kanë aplikuar për azil 163 mijë emigrantë, numri më i lartë në Evropë llogaritur në bazë të numrit të popullsisë. Në Suedi kanë shkuar edhe emigrantë shqiptarë dhe ata të cilëve u është refuzuar azili pritet të jenë pjesë e këtij fluksi që do të rikthehen. Bashkë me Gjermaninë, vendi skandinav është destinacioni më i preferuar i klandestinëve që arrijnë ilegalisht në Evropë.
 
Nga 58.800 kërkesa për azil, të bëra gjatë 2015, 55% u pranuan. 
 
Çështja e emigrantëve në Suedi është bërë shumë e ndjeshme dhe e debatueshme, veçanërisht pas shtimit të rasteve të dhunës në qendrat e azilkërkuesve. Disa ditë më parë, një 22 vjeçare, punonjëse në një qendër emigrantësh në afërsi të Gotenburgut, u qëllua për vdekje me thikë nga një 15 vjeçar emigrant.
 
Ndërkohë, Londra ka lajmëruar se do të pranojë fëmijë që vijnë nga Siria me kushtin që të mos kenë kaluar transit në asnjë vend tjetër të BE-së.
 
Britania e Madhe është dakorduar me OKB-në për të identifikuar raste të veçanta të minorenëve që vijnë nga Siria dhe nga vende të tjera të konfliktit. Kryeministri Cameron ka bërë gati planin për të pranuar 3 mijë minorenë. 
 
Më shumë se një milion refugjatë të larguar nga luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan kanë hyrë në Evropë gjatë vitit të shkuar.
 
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga 46 mijë klandestinë që kanë mbërritur në Greqi që prej fillimit të këtij viti deri tani, më shumë se 170 kanë humbur jetën në udhëtimet e rrezikshme në det.
 
MERITA GASHI