Ekonomi
Neziri: në Zonën Ekonomike të Tetovës nuk mungojnë investimet
28.01.2016 14:00
Në Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës intensivisht po punohet në ndërtimin e fabrikës së kompanisë automobilistike LEAR...

Në Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës intensivisht po punohet në ndërtimin e fabrikës së kompanisë automobilistike LEAR, ndërsa së shpejti pritet investimi edhe i tre kompanive tjera.
Kjo ishte përgjigja e ministrit të Ekonomisë, Bekim Nezirit, në pyetjen e gazetarëve rreth investimeve në Zonën e Lirë të Tetovës.
“Fabrika LEAR ndërtohet, me datën 15 maj do të duhet të jepet në përdorim dhe të hapet në përdorim. Andaj unë kam përmend edhe disa herë që edhe tre investime tjera në Zonën Industriale të Tetovës kanë kaluar në qeveri, por ajo që mund të shihet është se fabrika LEAR ndërtohet intensivisht”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Këto prononcime ministri Neziri i bëri me rastin e promovimit të twinning projektit “Përforcimi i zbatimit të të drejtave me pronësi intelektuale”, në të cilën u theksua se mbrojtja e pronësisë intelektuale është vendimtare për qasje të barabartë në treg.
“Prona intelektuale në përgjithësi ka kuptimin e një sërë të drejtave që i dedikohen mbrojtjes së patentave të autorëve, markave dhe imazhit të përdorur nëpër aktivitete komerciale dhe dizajne. Këto të drejta janë të paraparë që autorët të mbrojnë kreacionet e tyre dhe të parandalojnë përdorimin e paautorizuar nga ana e personave të tretë”- tha ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
Zbatimi i suksesshëm i projektit varet nga pjesëmarrja aktive e të gjitha institucioneve dhe shfrytëzuesve, theksuan të pranishmit.
Twinning projekti “Përforcimi i zbatimit të të drejtave me pronësi intelektuale” zbatohet nga Zyra daneze për Patentë dhe Marka Tregtare.
ERSAN PAJAZITI
