OJQ-të letër ndërkombëtarëve, kërkojnë anulim të zgjedhjeve deri në zbatim të reformave

28.01.2016 15:58

78 organizata joqeveritare sërish i janë drejtuar faktorit ndërkombëtar me kërkesën për anulimin e datës së zgjedhjeve deri në plotësimin e reformave që do të garantonin zgjedhje të drejta dhe të lira....

Njëherit sektori joqeveritar kërkon nga ndërkombëtarët të dënojnë vendimin e njëanshëm për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill, sepse kjo, sipas tyre, do ta thellojë krizën politike në vend.

“Kemi konstatuar se gjatë 7 muajve të fundit nuk janë ndërmarrë hapa konkrete për depolitizimin e gjyqësorit dhe departizimin e administratës publike, nuk ka sinjale të qarta për mbikëqyrje gjyqësore dhe parlamentare mbi funksionimin e DSK-së. Po ashtu në vazhdimësi pengohet dhe ndalohet pavarësia e trupave rregullatore dhe mbikëqyrëse. Nuk respektohen rekomandimet e ndërkombëtarëve, që duhej të garantonin zgjedhje të drejta dhe të lira. Andaj kërkojmë të zbatohen reformat e vërteta për zgjedhje të drejta dhe të lira dhe pastaj të organizohen zgjedhjet”- deklaroi Irena Stefkovska nga OJQ “Hajde”.  

OJQ–të nuk përjashtojnë mundësinë që të thërrasin në bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe organizimin e protestave masive në rast se nuk përmbushen kërkesat e Komisionit Evropian për reforma urgjente.

“Pa plotësimin e kushteve për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, që nënkupton shtyrjen e datës aktuale për organizimin e zgjedhjeve, ne si aktivistë dhe qytetarë nuk kemi zgjidhje tjetër përveç të thërrasim në bojkot të zgjedhjeve në prill dhe në protestë masive kundër regjimit që vazhdon të shkelë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e së drejtës në Maqedoni”- tha Biljana Bejkova nga një OJQ tjetër.

Letra e hapur e OJQ-ve u është dërguar kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Kllod Junker, shefes së Diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, delegacionit të BE-së dhe misionit të OSBE-së në Shkup, Parlamentit Evropian dhe të gjitha ambasadave të huaja në vend. (Rexhep Qamili, TVM2)