Radio Shkupi shënon 71 vjetorin e themelimit, Mustafa: Synojmë 24 orë program në gjuhën shqipe

28.01.2016 16:05

Media e parë në gjuhën shqipe, Radio Shkupi, ka shënuar sot 71 vjetorin e themelimit...

Gjatë këtyre viteve të ekzistimit, Radio Shkupi ka arritur të përmbushë mision e vet si në sferën e informimit ashtu edhe në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave muzikore dhe kulturës në përgjithësi, thotë në këtë përvjetor kryeredaktori, Haki Mustafa.    

"Radio Shkupi funksionon me tre njësi programore, me 11 redaksi të tjera, si dhe 2 seksione të gjuhës dhe të producentëve”- deklaroi kryeredaktori i Radio Shkupit, Haki Mustafa.  

Radio Shkupi brenda ditës realizon gjithsej shtatë edicione informative, por edhe emisione për fëmijë, programe kulturore, arsimore, sportive, sociale, ekonomike, politikë të brendshme dhe atë ndërkombëtare.

“Lajmet e para janë në 7 të mëngjesit, lajmet e tjera vijojnë në orën 9, me format kohor prej 15 minutave, që emitohen edhe në programin e dytë, në kanalin shqip, si dhe lajmet tjera në kuadër të mëngjesit janë në orën 10. Ndërsa si edicione qendrore informative primatin e ka edicioni i orës 16, pastaj kemi lajmet më të shkurtra në orën 10 dhe edicioni qendror informativ në orën 21, me format kohor prej 35 minutash dhe lajmet flesh të orës 24”- tha redaktorja e redaksisë informative, Emine Gena.     

“Duke filluar prej emisionit të fëmijëve edhe shkollore, ku unë u inkuadrova në fillim dhe në emisione të ndryshme tematike, të fshatit, reportazhe edhe dokumentarët”- theksoi redaktori i emisioneve dokumentare, Liri Lena.  

Që nga themelimi, më 28 janar të vitit 1945, Radio Shkupi në vazhdimësi e zgjeroi programin e tij, për të arritur në 17 orë program në gjuhën shqipe, sa ka aktualisht sot. Por, synim i udhëheqësisë aktuale dhe të punësuarve është emetimi i programit 24 orësh në gjuhën shqipe, pasi ndërprerja e programit ndikon në uljen e dëgjueshmërisë, thotë kryeredaktori, Haki Mustafa.

“Problemi më i madh është dëgjueshmëria. Përçuesit janë shumë të dobët, si dhe ndarja e programit në tre pjesë, sepse nuk kemi një kontinuitet që emitohet program, d.m.th. kemi ndërprerje të programit në orën 10 e 30 paradite, që shkojnë turqit deri në orën 15 e 30, si dhe tjerat që janë pasdite, d.m.th. synimi ynë është që ne të bëhemi medium 24 orësh”-  u shpreh kryeredaktori i Radio Shkupit, Haki Mustafa.    

Ndër vite, në Radio Shkup kanë parakaluar një numër i madh intelektualësh, të cilët me punën e tyre kanë ndikuar në zhvillimin dhe ngritjen e kësaj medie. Frazën e njohur “Ju flet Radio Shkupi” i pari e tha Vllado Malevski. Redaktori i parë ishte Talat Avçe, ndërsa në vitin 1967 u emërua edhe kryeredaktori i parë Murteza Peza. (Gyltene Sinani, TVM2)