Propozim-ndryshimet në Ligjin për familjen, propozohet kujdestari e përbashkët për fëmijët

28.01.2016 16:08

Shkurorëzimi duhet të jetë ndërprerje e martesës, e jo ndërprerje e të qenit prind...

Fëmijët duhet t’i shfrytëzojnë resurset nga të dy prindërit. Ishin këto disa nga porositë e debatit të sotëm me rastin e ndryshimeve të propozuara ligjore në ligjin për familjen, në organizim të Ambasadës së parë të Fëmijëve “Megjashi”.

Me qëllim të ruajtjes së të drejtave dhe interesave të fëmijëve, përmes vendosjes së kujdestarisë së barabartë dhe pas shkurorëzimit kërkohet vendosja e pozicioneve të barabarta fillestare për të dy prindërit, gjegjësisht kujdestarisë së përbashkët mbi fëmijët, sepse situatat e deritanishme në shumë raste janë në kundërshtim me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve.

“Para se të ndodh shkurorëzimi, praktikisht askush nuk është i informuar se çfarë do të ndodh me fëmijët. Në qoftë së nuk ke marrëveshje me bashkëshortin e mëparshëm, bëhesh prind i rendit të dytë, gjegjësisht bëhesh prind i vikendeve. Pritshmëritë janë që e gjithë kjo të ndryshojë, të vendoset një raport i drejtë, ku fëmijët edhe pas shkurorëzimit do të vazhdojnë të rriten dhe të zhvillohen në shoqërinë e të dy prindërve”- deklaroi përfaqësuesi i grupit të qytetarëve, Naum Ribarski.     

Ndryshimet ligjore mundësojnë që prindërit të jenë në kapacitet të plotë prindër, me çka nënkupton përforcim të komunikimit cilësor ndërmjet tyre dhe parandalim të ndenjës traumatike tek fëmijët për shkak të ndarjes.

“Vetë pozita fillestare nuk duhet të jetë e padrejtë, e diskriminuar ndaj cilitdo prind. Fëmija, edhe pas ndarjes së prindërve, dëshiron që t’i sheh ata, që edhe më tej në mënyrë të barabartë të kujdesen për të”- tha kryetari i Ambasadës së parë të Fëmijëve “Megjashi”, Dragi Zmijanac.

Paraprakisht, një grup prindërish, me mbështetje të Ambasadës së Fëmijëve “Megjashi”, kanë dorëzuar deri te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale propozim-ndryshime në Ligjin për familjen, me të cilin kërkohet aplikimi i kujdestarisë së përbashkët për fëmijët pas ndarjes.

Me propozimin e kujdestarisë së barabartë të prindërve do të thotë kalim i kohës së barabartë me ta, si dhe pjesëmarrje e barabartë në sjelljen e vendimeve të rëndësishme për fëmijën, e mbi të gjitha parandalimin e pasojave të përhershme psikologjike tek fëmijët. (Belinda Koka-Ademi, TVM2)