Zgjedhjet e 24 prillit, Neziri: Presim proces korrekt dhe demokratik
Deri më 24 prill pres që të implementohen të gjitha segmentet që burojnë nga Marrëveshja e Përzhinës dhe kjo të jetë garanci për zgjedhje korrekte dhe demokratike në datën e paracaktuar, më 24 prill...

Kështu ka deklaruar ministri i Ekonomisë dhe njëherit shef i Shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri.
Sipas tij, pas publikimit të “bombave” politike nga LSDM, Maqedonia ndodhet në një krizë të thellë politike. Ai shtoi se pikërisht për këtë qëllim BDI mbetet në qëndrimin se zgjedhjet duhet të ndodhin sa më shpejtë, por ato duhet të jenë korrekte dhe demokratike, nënvizoi ai.
“Maqedonia, deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë, gjendet në krizë politike tanimë pesë muaj, që nga shpallja e parë e të ashtuquajturave ‘bombave’, të cilat u shpallën publikisht dhe jo rastësisht qëndrimi i BDI-së është që të kemi sa më shpejtë zgjedhje, mirëpo ajo nënkupton që të kemi zgjedhje fer dhe demokratike, dhe faktikisht t’i vëmë fund një kapitulli të një krize politike, e cila ka efektet e veta edhe në rrafshin ekonomik”- deklaroi shefi i Shtabit zgjedhor të BDI-së, Bekim Neziri.
“Unë, sa jam i njoftuar, grupet e punës kanë aktivisht takime dhe aty në kontinuitet mundohen që sa më shpejtë të bëhet pastrimi i listës zgjedhore dhe kuptohet problemet të cilat janë në segmentin e ligjit për media”- tha Neziri.
Ministri Neziri, i pyetur në cilësinë e shefit të Shtabit zgjedhor të BDI-së, nënvizoi edhe faktin se për t’u arritur kjo është e nevojshme të implementohen dy segmentet e Marrëveshjes së Përzhinës, duke vënë theksin në pastrimin e listës zgjedhore dhe miratimin Ligjit të ri për media.
Ai u shpreh optimist se deri më datën 24 prill këto dy pika nga marrëveshja do të jetësohen dhe do të ketë zgjedhje konform standardeve ndërkombëtare dhe të pranueshme për te gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. (Naim Ramadani, TVM2)
