Rritet keqpërdorimi i të dhënave personale, promovohet projekti i BE-së për mbrojtjen e të dhënave
Keqpërdorimi i të dhënave personale të qytetarëve të vendit shënon rritje. Gjatë 2015-ës janë regjistruar 395 raste...

Keqpërdorimet janë bërë në rrjetet sociale, duke u krijuar profile të rrejshme, prishje të privatësisë dhe dinjitetit të individëve. Vetëm për dy raste janë ngritur kallëzime penale, pasi personat në vazhdimësi kanë keqpërdorur të dhënat personale.
Për të mbrojtur qytetarët nga keqpërdorimet, Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale promovoi projektin e mbështetur nga BE.
“Një pjesë e mirë e legjislaturës evropiane e ka kaluar edhe Parlamentin Evropian, pritet të kalojë edhe në Komisionin Evropian. Paralajmërimet janë se kjo do të ndodh në muajt mars- prill të këtij viti. Ne paralelisht me këtë projekt do t’i qasemi përpilimit të një legjislature të re për mbrojtjen e të dhënave personale, e cila do të jetë në përputhje me ndryshimet e fundit në kuadër të BE-së”- deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Goran Trajkovski.
BE, për realizimin e projektit ka angazhuar shtëpi konsultative hungareze, e cila bashkë me ekspertë nga Hungaria dhe Sllovenia do të detektojnë dobësitë që mundësojnë keqpërdorimet.
“Ekspertët do t’i japin mbështetje jo vetëm Drejtorisë për të Dhëna Personale, por gjithashtu dhe Komisionit për Qasje të Lirë tek Informacionet me Karakter Publik, me qëllim të harmonizimit të këtyre të drejtave themelore të njeriut. Shpresojmë që për dy vite në Drejtori të ndodhin përparime”- theksoi koordinatori i projektit, Gabor Frishman.
Nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale thonë se njëkohësisht do të punohet edhe në ngritjen e vetëdijes qytetare nëpërmjet dhënies së këshillave. Për momentin në grupin e përfshirë në edukim janë nxënësit e shkollave fillore, pas përfshirjes masive të nxënësve të shkollave të mesme. (Meral Ismaili, TVM2)
