Analistët: Mungon vullnet politik për çështjet e hapura
Rezultatet e grupeve të punës, që bisedojnë për realizimin e Marrëveshjes së Përzhinës, asnjëherë nuk janë varur nga çështjet teknike, por nga vullneti politik për të zgjidhur me të vërtetë çështjet e hapura...

Kështu i vlerëson analisti politik, Petar Arsovski, zhvillimet e fundit të grupeve të punës. Sipas tij, vendimi i LSDM-së për të hequr dorë nga metodologjia e pastrimit të listës zgjedhore, të propozuar nga KSHZ-ja, me kusht që VMRO-DPMNE të pranojë propozimet e ekspertit, Piter Vanhojt, është taktizim i partive politik maqedonase, sepse ata në prapaskenë merren me datën e zgjedhjeve.
“Ndërrimi i agjendës, propozimet, kundërshtimet mendoj se janë folklor politik , ndërsa në prapavijë zhvillohen negociata tjera rreth kushteve të zgjedhjeve dhe datës së zgjedhjeve. Këtë që e shohim është vetëm moment i ndarjes thelbësore të vullnetit politik. Nëse partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje me ndonjë datë të kontraktuar, këto çështje do të jenë shumë pak të rëndësishme, dikush do të heq dorë nga metodologjia e dikush do të heqë dorë nga ndonjë propozim tjetër, kështu shkojnë punët politike”- deklaroi analisti, Petar Arsovski.
Sa i përket reformimit të mediave, analisti, Sefer Tahiri, është i mendimit se të gjitha propozimet e ndërmjetësit Vanhojte mund të shpien drejt zgjidhjes, por assesi nuk duhet të lejohet që në marrëveshje të ekzistojë kontrolli i dyfishtë i mediave.
“Nëse ky propozim ka të bëjë me departizimin e sistemit mediatik, atëherë duhet të jetë i pranueshëm. Në këtë mënyrë mund të gjendet një zgjidhje, një lloj kompromisi, sepse fusha e mediave është më delikatja dhe ndoshta mediat në të ardhmen nuk do të shihen nga partitë politike si instrumente propagandistike, por duhet të shihen si kanale komunikative”- tha analisti, Sefer Tahiri.
Sipas Tahirit, të gjitha propozimet e mediatorit Vanhojte duhet të merren në konsideratë dhe më në fund servisi publik të frymojë lirshëm. (Sanije Kasami, TVM2)
