Konflikti i komisioneve anketuese, Shilegov deklaron dështimin e Komisionit; Dimovski mbledh Komisionin për letërnjoftimet

28.01.2016 17:49

Kreu i Komisionit Anketues për skandalin me përgjimet, Petre Shilegov, deklaroi dështimin e këtij komisioni, i cili deri në fund të janarit duhej të dorëzojë në Kuvend raportin final, që duhej të përcaktojë përgjegjësinë politike...

Për dështimin, Shilegov akuzoi VMRO-DPMNE-në dhe shumicën parlamentare, e cila ka shumicën e votave në këtë komision, por edhe zyrtarët e lartë të VMRO-së që refuzuan të raportojnë para këtij komisioni në seanca të hapura. Sa i përket Komisionit Anketues për fabrikën me letërnjoftimet, Shilegov përsëriti qëndrimin e opozitës se nuk do të marrin pjesë në, siç tha ai, një kontra-komision.

“Sot do të jemi dëshmitarë të një dramëze, fillimin me punë të kontra-Komisionit Anketues, të cilin VMRO e imagjinoi me qëllim që të bëjë përpjekje që opinionit maqedonas t’ia barazojë keqbërësin me atë që e lajmëroi krimin. LSDM veç më e ka bërë publik qëndrimin rreth këtij kontra-Komisioni Anketues dhe nuk kemi ndërmend që të marrim pjesë në dramën dhe teatrin që VMRO-DPMNE dëshiron t’ia paraqesë opinionit maqedonas”- deklaroi Petre Shilegov nga LSDM.

Pavarësisht qëndrimit të opozitës maqedonase, kryetari i Komisionit Anketues për fabrikën me letërnjoftimet, Ilija Dimovski, thirri seancë në të cilën u miratua rregullorja për punë dhe plani për punë i këtij komisioni. 

“Po bëhet e qartë se ajo fabrikë ka qenë fabrikë politike, e cila ka pasur për qëllim të krijojë kaos në shtet dhe të imponojë akuza për palën tjetër. Është fakt se janë shkelur disa parime kushtetuese për mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve, por gjithashtu janë shkelur disa ligje të RM-së, prandaj kuvendi, pa LSDM-në, vlerësuam se duhet të formohet Komision Anketues”- tha  Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

Anëtari i Komisionit nga radhët e PDSh-së, Gazmend Aliji, deklaroi se në mungesë të informatave zyrtare, do të abstenojë gjatë marrjes së vendimeve në këtë trup dhe se do të merr pjesë në seanca vetëm për të marrë informacione zyrtare rreth këtij skandali. Konform këtij qëndrimi, Aliji abstenoi gjatë votimit të rregullores dhe planit për punë.

Komisioni i ri Anketues u formua me nismë të VMRO-DPMNE-së dhe mbështetjen e dy partive shqiptare, BDI dhe PDSh, dhe ka për qëllim të zbardh skandalin me falsifikimin e letërnjoftimeve, skandal për të cilin VMRO e akuzon opozitën maqedonase. 

Për dallim nga Komisioni Anketues për skandalin me përgjimet, i cili kryesohet nga opozita, por ka shumicën e anëtarëve nga mazhoranca, në Komisionin Anketues për fabrikën e letërnjoftimeve mazhoranca, përveç që ka shumicën e votave, edhe do ta drejtojë këtë komision. (Shpëtim Nuredini, TVM2)