Botë
Finlanda do të dëbojë azilkërkuesit, Algjeria, Tunizia dhe Maroku vende të sigurta
29.01.2016 15:37
Pas Suedisë, një tjetër shtet skandinav mori vendim për dëbimin e emigrantëve.

Finlanda do të dëbojë 2 të 3 nga numri i përgjithshëm i 32 mijë klandestinëve, që kanë hyrë në këtë vend vitin e kaluar.
Paivi Nerg, drejtore Administrative e Ministrisë së Brendshme, tha se për 65 për qind të klandestinëve në vend do të refuzohet kërkesa për azil. Vendimi është marrë, tashmë pritet vetëm miratimi i tij në parlament.
Ndërkohë, në kuadër të reduktimit të numrit të emigrantëve, shpallur si objektiv nga kabineti i Merkelit, Gjermania do të shtojë në listën e vendeve të sigurta Algjerinë, Marokun dhe Tunizinë.
Ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, tha se të gjithë shtetasit që vijnë nga këto vende nuk do të përfitojnë të drejtën e azilit.
Menjëherë pas vendimit, Maroku u përgjigj pozitivisht, duke u shprehur se do të bashkëpunojë për riatdhesimin e të gjithë marokenëve që kanë hyrë ilegalisht në Gjermani.
Partnerët e koalicionit gjerman ranë gjithashtu dakord që emigrantët me status të kufizuar azili nuk do të jenë në gjendje të sjellin të afërmit e tyre në vend për një periudhë kohore dyvjeçare dhe përshpejtim të procedurës së dëbimit për të gjithë ata që iu është refuzuar azili.
BELINDA KOKA-ADEMI
