Maqedoni
Sazdov: “Kumanova”, akt terrorist; Adili dhe Kovaçevski: jo kualifikime pa e zbardhur rastin
29.01.2016 15:48
Pesë anëtarë të Komisioni për Mbikëqyrje mbi Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencinë për Zbulim...

Pesë anëtarë të Komisioni për Mbikëqyrje mbi Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencinë për Zbulim nga radhët e VMRO-DPMNE-së kërkojnë nga DSK-ja dhe Agjencia për Zbulim “informatë për sulme të mundshme terroriste në Maqedoni”.
Në informatë, deputetët e VMRO-së i cilësojnë ngjarjet e 9 majit në Kumanovë, si rast terrorist. Ky kualifikim u kundërshtua nga deputeti i “Unitetit”, Zulfi Adili, dhe deputeti i LSDM-së, Vasko Kovaçevski.
“Në informatën thoni se një sulm i tillë terrorist u realizuan edhe në territorin e Republikës së Maqedonisë, vitin e kaluar, me të cilën nuk pajtohem as unë dhe as opinioni i ekspertëve, përkatësisht institucionet, pasi nuk mund ta njësojmë ngjarjen në Kumanovë me sulmet terroriste në Francë dhe Turqi”- deklaroi anëtari, Vasko Kovaçevski (LSDM).
“Shumica e qytetarëve në RM pajtohen se ajo që ndodhi në Kumanovë është akt terrorist dhe aksioni policor ndoshta pengoi aktivitete të mëtejshme të atij grupi terrorist në truallin maqedonas”- tha anëtari, Pavle Sazdov (VMRO-DPMNE).
“Nuk është mirë që ky rast të cilësohet si akt terrorist, flas për rastin e Kumanovës, për arsye se dy institucionet, përfaqësuesit e të cilëve i kemi këtu, me sa duket edhe ata nuk e kanë të qartë se çfarë ka qenë, ose e kanë të qartë, por s’janë të sigurt që t’ia shpjegojnë opinionit se çfarë ndodhi në Kumanovë më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar. Do jetë mirë që rasti në fjalë të sqarohet nga institucionet dhe pastaj deputetët të bëjnë kualifikime se çfarë ka qenë në fakt ‘Kumanova’. Ka qenë akt terrorist apo nuk ka qenë akt terrorist”- deklaroi anëtari, Zulfi Adili (“Uniteti”).
Komisioni për Mbikëqyrje mbi Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Agjencinë për Zbulim mori vendim që më datën 05.02.2016 të realizojë vizitë mbikëqyrëse në Agjencinë për Zbulim, ndërsa më datën 09.02.2016 do të realizojë vizitë mbikëqyrëse në DSK.
Komisioni miratoi edhe konkluzionin për bashkëpunim me Qendrën për Siguri, Zhvillim dhe Drejtësi, nga Zvicra, DICAF.
SHPËTIM NUREDINI
