Maqedoni

Kriza e refugjatëve, Maqedonia kërkon ndihmë për menaxhim të suksesshëm

29.01.2016 15:51

Maqedonia vazhdon të përballet me fluksin e refugjatëve, ndërsa institucionet shtetërore mbeten të drejtuara edhe më tej para sfidës...

Maqedonia vazhdon të përballet me fluksin e refugjatëve, ndërsa institucionet shtetërore mbeten të drejtuara edhe më tej para sfidës për menaxhim sa më të suksesshëm të situatës me refugjatë. Në Kampin e Refugjatëve në Gjevgjeli vazhdojnë të vijnë refugjatë nga vende të ndryshme të krizave.
 
Ata për çdo ditë strehohen, ndihmohen, udhëzohen dhe u ofrohet ndihmë mjekësore në çdo kohë, por autoritetet e vendit theksojnë nevojën për ndihmë financiare evropiane për vendin tonë.
 
“Gjatë vitit të kaluar kemi pasur raste kur vinin më shumë se 10 mijë refugjatë në Maqedoni për një ditë. Andaj, mendoj se duhet të kontribuojmë dhe së bashku të gjithë të përgatitemi për këtë situatë. Ajo që mungon prej fillimit të kësaj situate me refugjatët është ndihma për institucionet shtetërore të vendit, sepse kriza e refugjateve ka dy komponente, e para është aspekti humanitar, ndërsa e dyta është sigurimi i vendit, të cilin aspekt nuk mund ta mbulojnë organizatat humanitare”- deklaroi sekretarja shtetërore  për çëshjte evropiane, Ana Bllazhevska.
 
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë dhënë gjithsej 1.837 vërtetime për njohjen e të drejtës së azilit  të shtetasve të huaj.
 
Sipas informatave të MBP-së, 754  prej tyre kanë qenë burra, 392 gra dhe 691 fëmijë me prind. Ata në të shumtën e rasteve vijnë nga Afganistani, Siria dhe Iraku. 
 
REXHEP QAMILI