Kulturë
Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” shënon ditëlindjen e 80-të të Ismail Kadaresë
29.01.2016 16:03
Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në bashkëpunim me shumë artistë dhe shkrimtarë nga Tetova...

Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në bashkëpunim me shumë artistë dhe shkrimtarë nga Tetova, mbrëmë shënoi datëlindjen e 80-të të shkrimtarit të mirënjohur tashmë në mbarë botën, Ismail Kadare.
Të pranishmit e cilësuan Kadarenë si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj që ka pasur kombi shqiptar, duke e cilësuar madje edhe si ambasador jo vetëm të kulturës shqiptare.
“T’i kushtojmë një aktivitet organizativ edhe shënimit të 80-të vjetorit të gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, i cili më mirë se kushdo tjetër ka arritur të ngrejë në piedestalin më të lartë letërsinë shqiptare dhe të ngrejë në arenën ndërkombëtare dhe jo vetëm”- deklaroi kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani.
“Është një kolos i letrave, një njëri i pazëvendësueshëm, mendoj se nëse ne shqiptarët kemi pasur një dalje në botë me një vepër, është pikërisht Ismail Kadare… Kadareja është personi më tipik që i ka dhënë botës një vepër origjinale shqiptare, ia ka dhuruar komplet, nuk ka asnjë rast të vetëm që Kadareja e ka shkruar në një gjuhë tjetër, por të gjitha veprat i ka shkruar në gjuhën shqipe”- tha profesoresha universitare, Vjollca Berisha.
“I kemi borxh gjeniut të kombit dhe princit të kombit, të cilin para 50 viteve e kemi shpallur ambasador të kulturës shqiptare dhe na ka përfaqësuar në të pesë kontinentet”- theksoi profesori universitar, Xhelal Zendeli.
“Ishte një manifestim mjaftë i bukur dhe i qëlluar për nderë të 80 vjetorin të lindjes së shkrimtarit më të madh shqiptar, mund të them shkrimtarin që përbën shekullin të cilin e jetojmë, Ismail Kadare. Ishte nder për të gjithë ne poetët që morëm pjesë”- u shpreh profesoresha universitare, Zejnepe Alili-Rexhepi.
Shkrimtari i shquar, Ismail Kadare, më 1 janar të këtij viti mori edhe gradën e Komandantit të Legjionit të Nderit, titull ky i dhënë nga presidenti francez, Fransoa Hollande, në ceremoninë tradicionale që u akordohet figurave të shquara në sfera të ndryshme publike qysh prej vitit 1802.
Bashkia e Gjirokastrës në Shqipëri e ka shpallur 2016 –ën vitin kulturor të Ismail Kadaresë.
VISAR SADIKI
