Eksploziv në Xhaminë e Drenasit

29.01.2016 16:19

Një sasi eksplozivi është gjetur në ambientet përcjellëse të Xhamisë së Drenasit, me të cilën janë duke u marrë ekipet e çminimit të Policisë së Kosovës...

Imami i Xhamisë, Osman Musliu ka thënë për Klan Kosovën se çanta është gjetur në oborrin e xhamisë.

Sipas tij në momentin kur është hasur mjeti i dyshimtë në oborrin e xhamisë kanë qenë rreth 500 xhematlinj, që po kryenin detyrimet e tyre të kultit.

Ndërsa sa i përket motiveve që mund të kenë çuar në këtë bombvënie, ai ka thënë se ka disa pista dyshimi, pasi disa herë ka qenë cak i kërcënimeve nga eksponentë të ndryshëm.

Lajmin se është gjetur një sasi eksplozivi në Xhaminë e Drenasit  e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, e cila tha se ekipe të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes, pas marrjes së informatës rreth orës 13:30 se në oborrin e kësaj xhamie gjendet një sasi eksplozivi.

Ahmeti ka shtuar se banorët përreth janë evakuuar dhe pritet që ky mjet të shpërthehet nga ekipet e deminimit. (klankosova)