OJQ-të rekomandojnë qeverinë të ndërpresë reklamimin qeveritar

29.01.2016 16:41

Sektori joqeveritar rekomandon qeverinë që të ndërpresë reklamimin qeveritar në periudhën që vjen. Mesazhi doli nga debati i organizuar nga Instituti për Demokraci...

Propozohet që të përpilohet kornizë ligjore, e cila do të mundësonte vetëm reklamim të reklamave me interes publik.

“Qëllimi është që të ndërpritet ajo vijë e cila i mundëson qeverisë të derdh para në mediat për t’u reklamuar. Pra do të duhet të bëhet definim i fushatave me interes publik paraprakisht duke u definuar se çka është fushatë e interesit publik. Do të duhet të përforcohet roli i Agjencisë së Mediave që të identifikojë se çka është reklamë e interesit publik, që më pas ajo të publikohet”- deklaroi drejtori i programit në Institutin për Demokraci, Jovan Bliznakovski.

Rekomandim tjetër i sektorit civil drejtuar qeverisë është ndërprerja e punësimeve në administratën publike dhe stimulimi i punësimit në sektorin privat.

“Procesi i krijimit të të dhënave për numrin e të punësuarve në administratën publike të forcohet nëpërmjet krijimit të një regjistri publik. Gjithashtu është konstatuar edhe nevoja për ngrirjen e punësimeve në periudhën që shpie në zgjedhjet e parakohshme nëse ato mbahen”- tha hulumtuesi në Institutin për Demokraci, Ivan Damjanovski.

Gjithashtu në mesin e propozimeve që do t’i dorëzohen qeverisë në formë të dokumentit, kërkohet edhe formimi i një regjistri publik për evidentimin e dhuratave që i marrin funksionarët. Kështu do të mundësohej një kontroll më i qartë për t’u përjashtuar keqpërdorimet financiare. (Meral Ismaili, TVM2)