Shqipëri, listat e deputetëve, përçarje PS dhe LSI

29.01.2016 16:44

Një tjetër përçarje mes mazhorancës del në pah një vit para zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri...

Partia Socialiste është shprehur kundër aplikimit të listave të hapura për kandidatët për deputetë, ndryshe nga partnerja e saj në koalicion, LSI, e cila ka kërkuar lista të hapura për të gjithë. Ministri i Pushtetit Vendor, Bledi Cuci, thotë se lista të tilla do të shkaktonin konflikte.

Por, një ditë më parë, ish-kryeministri ,Sali Berisha, tashmë deputet i PD-së, u shpreh gjithashtu kundër këtyre listave. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, kërkoi gjatë tryezës për reformën zgjedhore që të ndryshohet kodi zgjedhor, duke aplikuar lista të hapura.

Në këtë mënyrë duket se socialistët janë dakord me kundërshtaren e saj, Partinë Demokratike, dhe kundër partneres së qeverisë, LSI. Ende nuk dihet se cili prej qëndrimeve do të triumfojë për zgjedhjen e deputetëve shqiptarë në vitin 2017. (Luljeta Ndoka, TVM2)