Shtëpia e bardhë: Putini është i korruptuar; Kremlini: komente fyese dhe skandaloze

29.01.2016 17:16

Vladimir Putin është i korruptuar dhe madje për vite me radhë...

Deklarata vjen nga kreu  i Departamentit të Thesarit Amerikan, duke reflektuar në këtë mënyrë edhe qëndrimin e administratës Obama mbi kreun e Kremlinit.

Adam Szubin ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara besojnë që presidenti ka qenë i korruptuar për vite dhe vite me radhë dhe se përdor taktika për të fshehur pasurinë e tij.

Edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Ernest, ka konfirmuar se deklaratat e zyrtarit të Departamentit amerikan të Thesarit se Putin është i korruptuar, reflektojnë edhe pikëpamjen e administratës së presidentit, Barack Obama. Kremlini i ka mohuar akuzat.

“Ky koment është skandaloz dhe fyes”, ka thënë zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov.

Vetë Putin ka thënë se në mënyrë të përsëritur ai i lexon raportet e shtypit në lidhje me pasurinë e tij të madhe, duke përfshirë edhe një kualifikim si njeriu më i pasur në botë, por të gjitha këto i cilëson të pakuptimta.

Në prill të vitit 2014, Putin deklaroi se pasuria e tij janë 119 mijë dollarë dhe dy apartamente modeste, përfshirë një vend parkimi për makinën në një garazh të përbashkët. Komentet vijnë pak ditë pas një hetimi britanik, i cili akuzonte Putin për vrasjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko, me polonium radioaktiv. (Gazmend Rexhepi, TVM2)