Gjykata Administrative, pezullohen 29 vendime të ministrit Spasovski

29.01.2016 17:31

Pas ministres Remenski, Gjykata Administrative ka suspenduar edhe vendimet e fundit të ministrit tjetër të LSDM-së, Oliver Spasovski...

Pas ankesës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, Gjykata Administrative vendosi të mbajë pezull deri në një vendim tjetër 29 vendimet e miratuara para Vitit të Ri nga ministri i Brendshëm, Spasovski.

Nga këto 29 vendime, pesë kanë të bëjnë me  shkarkimin e shefave të sektorëve të punëve të brendshme të Shkupit, Kumanovës, Manastirit, Shtipit dhe Ohrit.

Përveç shefave, Gjykata Administrative me masë të përkohshme i ka shfuqizuar edhe vendimet e Spasovskit për avancimin edhe të 17 personave.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, sot në mëngjes përmes një telegrami i ka njoftuar drejtorët e Byrosë për Siguri Publike të Drejtorisë së Sigurimit dhe Kundërzbulimit se janë të detyruar që menjëherë të zbatojnë vendimin e Gjykatës Administrative.

Çavkov në telegram ka përmendur se kuadrot e avancuar në detyrë në mënyrë të paligjshme duhet që të kthejnë në gjendjen e mëparshme edhe mjediset e punës, dokumentacionin dhe automjetet që i kanë përdorur.