Statusi i të falimentuarve, deputetët me qëndrime të kundërta

29.01.2016 17:41

Deputetët nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët rreth propozim-ligjit për sigurim material të punëtorëve të falimentuar që kanë ngelur si pasojë e privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi shtetërore...

Me 48 vota për dhe 22 kundër, kuvendi nuk lejoi që propozim-teksti të kalojë në procedurë të mëtejme. Me propozim-ligjin parashikohet që të gjithë të punësuarit të cilët kanë mbetur nën falimentim të munden nga Agjencia për Punësim të marrin kompensim prej 30 për qind nga neto rroga e paguar mesatare në vitin paraprak, theksuan nga LSDM, të cilët kanë parashtruar propozim-ligjin.

Ndërkohë, Rafiz Aliti, në emër të grupit të deputetëve të BDI-së, tha se do ta mbështesin propozim-ligjin për shkak se konsiderojnë se duhet të zgjidhet statusi i kësaj kategorie të punëtorëve.

“Që të zgjidhet kjo çështje e hidhur e punëtorëve të falimentuar dhe që të sigurohet ekzistencë materiale për këtë kategori njerëzish është e nevojshme që të sigurohen 5 milion euro nga buxheti i Maqedonisë të vitit 2016”- deklaroi Mileva Georgieva nga LSDM.

“Unë dhe grupi parlamentar do të përkrahim iniciativën tuaj.  Jo që të fitojmë pikë politike, sepse ne jemi të vetëdijshëm si BDI se me zgjedhjen e statusit të kësaj kategorie të punëtorëve të falimentuar ne nuk fitojmë pikë politike, por jemi të vetëdijshëm se ajo kategori që ka ngelur rrugëve me të vërtetë kërkon zgjidhje”- tha Rafis Aliti nga BDI.

Por, nga VMRO-DPMNE propozimin e LSDM-së e kanë cilësuar si populiste dhe në shërbim të fushatës zgjedhore.

“Përse këtë propozim-ligj po e sillni para zgjedhjeve? Tani po veproni në mënyrë populistike para kësaj kategorie të qytetarëve, ndërkaq në të kaluarën keni dëshmuar se sa kujdeseni për këta qytetarë”- tha Nada Cipusheva nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE gjithashtu konsideruan se ky propozim-ligj nuk është më në favor se sa ligji ekzistues, sepse, sipas tyre, bie ndesh me principin e barazisë sociale dhe njëherit zvogëlon shumën e të ardhurave që duhet t’i marrin të falimentuarit. (Naim Ramadani, TVM2)