IN MEMORIAM

Ndërroi jetë publicisti e profesori, Qani Mehmeti

29.01.2016 19:14

Ka ndërruar jetë sot Qani Mehmeti, publicisti dhe profesori universitar i katedrës Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare-“Bllazhe Koneski” në Shkup...

Ai ndërroi jetë mbrëmë në spital, ku qëndroi ditëve të fundit pas një sëmundjeje të rëndë.

Qani Mehmeti u lind më 15 shtator 1953, në fshatin Ceroticë të Preshevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe të mesmen në gjimnazin e Preshevës.

Në vitin 1972 regjistrohet si student i rregullt në Fakultetin Filozofik në Shkup, në grupin për Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare, ku diplomoi në 1976. Pas diplomimit, u punësua si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin e  Preshevës.

Në 1977 u zgjodh si asistent i ri në lëndën e dialektologjisë së gjuhës shqipe dhe histori e gjuhës shqipe në Fakultetin Filologjik në Shkup.

Nga viti 1984 deri në 1985 punoi në bibliotekën e Katedrës për Gjuhë dhe Letërsi Shqiptare. Në të njëjtën katedër, në vitin 1996, Qani Mehmeti u zgjodh lektor i lëndës së gjuhës shqipe, ndërsa në 2009 u emërua lektor i gjuhës bashkëkohore shqipe. Gjithashtu ka qenë edhe anëtar i Këshillit Arsimor të Fakultetit për Gjuhë dhe Letërsi, si dhe në shumë trupa e komisione të të njëjtit fakultet.

Ka qenë edhe sekretar i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare. Ishte i angazhuar edhe si ekspert i gjuhës shqipe në projektin e trajnimit të administratorëve shtetërorë, përkthyes nga shqipja në maqedonisht dhe e kundërta.

Në vitin 2001-2002 u angazhua si ligjërues i shqipes për studentët e etnologjisë në Institutin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Natyrore.

Ka lënë pas vetes një sërë botimesh shkencore hulumtuese, me interes të veçantë në sferën e linguistikës. Ishte shumë I suksesshëm edhe në veprimtarinë aplikative dhe botoi 7 libra shkollore dhe libra ndihmëse kushtuar mësimit të gjuhës shqipe jo vetëm për nxënësit dhe studentët shqiptarë, por edhe libra për të gjithë të huajt që duan të mësojnë gjuhën shqipe.

Varrimi i të ndjerit u bë sot në Shkup.