Zaev: Nuk ka kushte për zgjedhje më 24 prill
LSDM nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje të 24 prillit, theksoi lideri socialdemokrat, Zoran Zaev, duke vlerësuar se nuk ka kushte për mbarëvajtjen e tyre....

Ai mban qëndrimin se pa zgjedhjen 2 çështjeve kryesore, atë të listës zgjedhore dhe mediave, nuk mund të ketë zgjedhje korrekte dhe demokratike.
“Zgjedhje më 24 prill nuk do të ketë, dhe e dyta LSDM është mjaft e fuqishme dhe e vendosur se pas të këtyre proceseve të hapura për ‘E vërteta për Maqedoninë’ të mos jemi vetëm vëzhgues të vendimeve të njëanshme të partive qeveritare, ne nuk e kemi në plan që në televizione të shikojmë zgjedhje të njëanshme të organizuara nga ana e qeverisë. Për të pasur zgjedhje duhet të ketë zgjedhje, nuk mundet vetëm partitë qeveritare të dalin në zgjedhje, por as ndërmend nuk na bie, por as e mendojmë se mund të shkohet në zgjedhje të njëanshme”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev, madje, si datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve përmend qershorin dhe korrikun, pasi që sipas kryetarit të LSDM-së më së paku 85-90 ditë janë të duhura për të mbaruar të gjitha përgatitjet, përfshirë edhe pastrimin e listës zgjedhore.
“Nëse arrihet deri më 15 prill, plus 50 ditë, atëherë 5 qershori mund të jetë datë e projektuar për zgjedhje, nëse arrihet deri më 15 maj, 5 korriku do të ishte data e parë e mundshme kur mund të mbaheshin zgjedhjet”- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
I pyetur rreth vendimeve të Gjykatës Administrative, e cila solli masa të përkohshme që t’i ngrijë vendimet e sjella nga ana e ministrave të LSDM-së, Oliver Spasovski dhe Frosina Remeska, Zaevi theksoi se kjo do të thotë se nuk ka gjykime për të anuluar vendimet dhe për të rivendosur ata të cilët kanë qenë më parë. (Ersan Pajaziti, TVM2)
