Botë

Damask, në tre shpërthime 45 të vdekur

31.01.2016 14:35

Së paku dyzetepesë përsona kanë humbur jetën në tri shpërthime që kanë ngjarë pranë xhamisë shiite, Sayyida Zeinab, në jug të qytetit sirian Damask...

Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut dhe mekanizmave të tjerë, mbi 100 persona janë të plagosur si rezultat i shpërthimeve.  
 
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA, duke cituar burime nga ministria e brendshme, ka thënë se një grup militantësh kanë hedhur në erë një veturë bombë afër një garazhi të transportit publik.
 
Dy bombardues vetëvrasës më pas hodhën veten në erë në afërsi derisa njerëzit po largoheshin nga shpërthimi i parë.
 
Një fotograf i agjencisë AFP, në vendin e ngjarjes, tha se shpërthimet shkaktuan dëme masive, shkatërrimtar dritaret dhe panikë të madhe. Shteti Islamik menjëherë e ka marrë përgjegjësinë për sulmet.
 
Në xhaminë e Sayyida Zeinab gjendet varri i mbesës së Profetit Muhamed dhe është vend që vizitohet nga myslimanët shiitë. Kjo xhami ka qenë në shënjestër edhe më herët.
 
GAZMEND REXHEPI