Futboll

FIFA i zbret 3 pikë Kastriotit dhe Dinamos

31.01.2016 15:08

Fifa përdorën sërish dorën e hekurt ndaj klubeve shqiptare...

Pas Flamurtarit që u dënua me -3 pikë nga institucioni më i lartë i futbollit botëror për mosshlyerje të detyrimeve financiare ndaj kroatit Toni Pezo, këtë herë e kanë pësuar dy klube të kategorisë së parë. 

Bëhet fjalë për Kastriotin dhe Dinamon që ashtu si Flamurtari janë dënuar me heqjen e tre pikëve nga klasfikimi aktual.

Blutë kryeqytetas e kanë marrë këtë penalizim nga Fifa për faktin se nuk kanë shlyer detyrimet financiare ndaj futbollist argjentinas Lucas Malacarne. 27-vjecari amerikano-jugor i cili ka një të shkuar në kategorinë Superiore edhe te Kastrioti e Kukësi fitoi gjyqin që hapi në Fifa ndaj Dinamos, dhe dicka të tillë e kanë pranuar edhe vetë drejtuesit e klubit kryeqytetas.

Mosshlyerja e detyrimeve financiare ndaj një tjetër futbollisti të huaj është bërë shkak edhe për dënimin e Kastriotit.

Krutanët janë ndëshkuar nga Fifa për faktin se nuk ka shlyer në kohë detyrimet ndaj rumunit Dragoi.

Në Krujë pretendojnë se dicka e tillë nuk është e vërtetë por nëse i hedhim një sy klasfikimit të fundit të azhornuar nga federata e shqiptare e futbollit që në këtë rast është ajo që ekzekuton vendimin e ardhur nga Fifa, shikon që Kastrioti pozicionohet në vendin e 3-të në kuotën 27 pikëve, tre më pak sesa ka grumbulluar në fushën e blertë.

Një dënim i rëndë ky për objektivat sezonalë të Kastriotit që tashmë parakalohet në renditjen e grupit A të kategorisë së parë nga Besëlidhja dhe Korabi.

Në krahun tjetër Dinamo me heqjen e tre pikëve nga Fifa i afrohet gjithnjë e më shumë zonës së ftohtë të renditjes në grupin B teksa pozicionohet në vendin e 6-të në kuotën e 13 pikëve.

Për Dinamon kjo nuk është hera e parë që dënohet me heqje pikësh nga Fifa pasi Blutë kryeqytetas e kanë provuar dicka të tillë edhe në vitin 2010-të.