Botë
Greqi, arrestohen dy xhihadist me shtetësi suedeze
31.01.2016 16:06
Autoritetet greke kanë arrestuar dy persona të dyshuar si anëtarë të grupit militant shteti islamik...

Lajmi është bërë I ditur nga mediat greke, të cilat njoftojnë se dy të dyshuarit janë ndaluar në stacionin e autobusëve në qytetin kufitar me Turqinë, Aleksandrupoli.
Ata kishin ardhur në Athinë nga Suedia një ditë më parë dhe destinacioni i tyre final ishte Siria, ku do t’i bashkoheshin Shtetit Islamik. Policia greke i ndaloi për të kryer një kontroll rutinë dhe në bagazhet e tyre gjeti uniforma ushtarake, thika dhe hanxharë. Menjëherë ata janë dërguar në Drejtorinë e Policisë, ku dhe janë marrë në pyetje prej autoriteteve.
Mësohet se dy të arrestuarit janë shtetas suedez. Ata ishin nën hetim në Suedi si të dyshuar për akte terroriste. Nga hetimet është vërtetuar se dy të arrestuarit do të shkonin në Stamboll, ku do të takoheshin me rekrutues të grupimeve radikale islame dhe në vazhdim do të shkonin për të luftuar në Siri.
Menjëherë autoritetet greke kanë njoftuar edhe homologët e tyre suedezë për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tyre në Suedi.
Pika kufitare në Kipus të Aleksanrupolit konsiderohet si një ndër portat kryesore të kalimit të ekstremistëve islamikë dhe armatimeve nga Europa drejt Sirisë. Pak muaj më parë, në këtë pikë kufitare u ndaluan armatime të nisura në formë ndihme prej myslimanëve të Francës për rebelët islamikë në Siri.
Autoritetet greke kanë shprehur shqetsimin se në mesin e mijëra emigrantëve që kalojnë çdo ditë nga ishujt e saj të Egjeut drejt Maqedonisë, kalojnë edhe anëtarë të Shtetit Islamik, me qëllim kryerjen e akteve terroriste në tokën greke.
Për këtë qëllim janë marrë masa shtesë për ruajtjen e porteve, aeroporteve, kompanive amerikane dhe pikave ku grumbullohen turistë të huaj në vend.
GJYLTENE SINANI
