Botë
Europol 10.000 refugjat minoren janë zhdukur në Evropë
31.01.2016 18:14
Të paktën 10 mijë fëmijë refugjatë të pashoqëruar janë zhdukur pasi kanë mbërritur në Europë, alarmon agjencia e BE-së për kundërzbulimin “EUROPOL”...

Ekziston frika që shumë prej tyre kanë përfunduar në duart e grupeve të organizuara kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore.
Shefi i “EUROPOL” ka thënë për britaniken “the Observer”, e publikuar nga “the Guardian”, se mijëra minorenë të rrezikuar janë zhdukur pasi janë regjistruar në autoritetet shtetërore ku kanë shkelur për herë të parë në Europë. Brian Donald tha se 5.000 fëmijë janë zhdukur vetëm në Itali, ndërsa 1.000 të tjerë nuk dihen se ku ndodhen pasi kanë mbërritur në Suedi.
“Nuk është e paarsyeshme të thuash se jemi duke kërkuar për mbi 10 mijë fëmijë. Jo të gjithë prej tyre mund të jenë duke u shfrytëzuar në mënyrë kriminale, disa mund t’u jenë bashkuar anëtarëve të tjerë të familjes. Ne, thjesht nuk e dimë se ku janë ata, çfarë bëjnë dhe me cilët shoqërohen”, tha shefi i “EUROPOL”.
“EUROPOL”, që zotëron një forcë prej 900 analistësh kundërzbulimi dhe oficerë ndërlidhës të policisë, beson se 27 për qind e mbi një milion refugjatëve që vitin e kaluar arritën në Europë janë minorenë.
GJYLTENE SINANI
