Botë

Siri, ISIS merr përgjegjësinë e sulmeve në Damask ku humbën jetën 60 persona

31.01.2016 19:58

Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për tre sulmet që tronditën Damaskun gjatë ditës së dielë duke lënë pas 60 viktima dhe më shumë se 110 të plagosur...

Bilancin më të përgjakshëm e shkaktoi sulmi me bombë pranë mausoleumit shiit Sayyidah Zainab Shrine, i cili është një vend i rëndësishëm peligrinazhi.
 
Ndërsa dy shpërthimet që e pasuan u shkaktuan nga kamikazë. Të plagosurit u dërguan menjëherë në qëndrat spitalore për të marrë trajtimin e nevojshëm shëndetsor, por mjekët deklaruan se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi disa prej tyre kanë marrë plagë të rënda.  
 
Ngjarja vjen në një kohë kur delegatë nga qeveria dhe opozita siriane janë mbledhur në Gjenevë të Zvicrës për të zhvilluar bisedime për paqe.
 
Në këtë kuadër i deleguari special i OKB-së për zgjidhjen e krizës së Sirisë, Staffan de Mistura, është takuar gjatë me përfaqësuesit e opozitës siriane.
 
Kjo ishte një mbledhje informale. Pas diskutimeve, de Mistura nënvizoi se biseda ishte mjaft e vlefshme. Sipas tij, palët duhet t’i dëgjojnë me vëmendje të gjitha shqetësimet e përfaqësuesve opozitare në Siri. Nga ana e tij grupi opozitar ka deklaruar se edhe mund të tërhiqet nga bisedimet nëse regjimi nuk u jep fund sulmeve dhe rrethimit të disa qyteteve siriane./Oranews