Londër, dështojnë bisedimet mes Cameron dhe Tusk

01.02.2016 10:26

U mbyll pa marrëveshje takimi mes kryeministrit britanik, David Cameron, dhe presidentit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk...

Të dy liderët nuk e kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për sa i përket kërkesave të Londrës ndaj Brukselit, për të shmangur të shumëpërfolurën, Brexit, apo daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Pas përfundimit të takimit, Tusk njoftoi se nuk ishte arritur ende marrëveshja. Ndërsa kryeministri Cameron u shpreh se palët i kanë dhënë njëra-tjetrës edhe 24 orë të tjera bisedime para se të bëhen publike të gjitha propozimet e  Bashkimit Evropian referuar pikave të ngritura nga Londra.

Cameron kërkon hyrjen në fuqi menjëherë të të ashtuquajturës “frenë e emergjencës”, që parashikon ndalimin e përfitimeve sociale të qytetarëve të vendeve anëtare që punojnë në Britani.

Nga ana tjetër, BE propozon që kjo masë të zbatohet 3 muaj pas kërkesës së Londrës dhe me konsensusin e vendeve të tjera anëtare, si edhe të ketë një afat maksimal prej 4 vitesh. Qëllimi i përbashkët i palëve është arritja e gjuhës së përbashkët përpara 18–19 shkurtit, kur do të zhvillohet Samiti i ardhshëm i BE-së, çka do të mundësojë miratimin e marrëveshjes.