SEFERI – ZHELEZARECI 3:4
7 gola të shënuar, lojë e shkëlqyeshme, atmosferë impozante dhe shumë profesionalizëm...

Kështu mund të përshkruhet derbi ndeshja e javës së 12-të në elitën e futsallit në vend ndërmjet KFV Shkupit dhe KMF Zhelezarecit, që në fund u mbyll me fitoren e mysafirëve me rezultatin 3:4.
Figurë qendrore te skuadra e Shkupit ishte Erkan Seferi që njëherit shënoi të tre golat, ndërsa “bardhekaltërit” nga Çairi ishin shumë afër për të nxjerrë edhe një barazim, mirëpo në minutën e 37-të, Sulejman Rexhepi nuk arriti të shënojë nga pika e bardhë.
Ndeshja filloi jo mirë për Shkupin, pasi vetëm pas 19 sekondave lojë Zhelezareci kaloi në epërsi me golin e shënuar nga Darko Rangotov. Pas këtij goli Shkupi u vërsul në sulm, ku si rezultat në minutën e 10-të erdhi edhe goli i barazimit me autorë, Erkan SEFERI.
Me rezultatin 1:1 u mbyll pjesa e parë e këtij takimi, ndërsa pjesa e dytë dhuroi spektakël dhe plotë 5 gola të tjerë.
Fillimi i pjesës së dytë sërish nuk ishte i mirë për të përzgjedhurit e trajnerit Zoran Lekiq, pasi në minutën e 27-të një autogol i Eroll Dalip solli në epërsi Zhelezarecin 1:2, skukadër kjo e cila vetëm 3 minuta më vonë pas një super aksioni shënoi edhe golin e tretë me autorë, Zoran Leveski.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm disa sekonda më pas, Erkan Seferi u kundërpërgjigjë duke shënuar golin e dytë personal për rezultat 2:3, ndërsa po i njëjti futbollist në minutën e 33-të barazoi shifrat në 3:3. Golin e epërsisë për Zhelezarecin e realizoi Igor Leovski dy minuta më vonë, ndërsa Shkupi tre minuta para mbylljes së takimit kishte rast të artë që përmes penaltisë të barazoi shifrat edhe për herë të tretë në këtë ndeshje, mirëpo Rexhep Sulejmani nuk ishte i saktë nga pika e bardhë dhe në fund fitorja me rezultatin 3:4 i takoi kampionit në fuqi.
Edhe përkundër kësaj disfate Shkupi mbetet në pozitën e dytë me 24 pikë, po aq sa kanë edhe Juventus Serava dhe Hedis Skopje në pozitat tre dhe katër, ndërkohë Zhelezareci vazhdon të kryesojë bindshëm tabelën e klasifikimit me 36 pikë.
