Kriza e refugjatëve, Greqia aktivizon edhe ushtrinë
Qeveria greke do të aktivizojë edhe ushtrinë për çështjen e refugjatëve...

Ky angazhim vjen pas paralajmërimeve nga Brukseli për të bërë më shumë në kontrollin e fluksit të emigrantëve dhe kërcënimeve nga disa shtete anëtare të BE-së për izolimin e Greqisë nga zona Shengen.
Ministria e Mbrojtjes do të ketë koordinatorët e saj në pesë qendrat e pritjes në ishuj, si dhe do të japë dy reparte ushtarake për strehimin në fillim të 500 emigrantëve e më pas për rreth 4.000 të tjerë.
Është vendosur edhe përshpejtimi i ngritjes së pesë pikave të hyrjes në ishujt grekë, të ashtuquajturat “Hotspots”, si dhe të dy kampeve të mëdha të pritjes dhe identifikimit të refugjatëve në Greqinë kontinentale.
Athina ka deklaruar se deri në samitin e ardhshëm të BE-së do të ketë përfunduar të gjitha ato që ka premtuar dhe shpreson se edhe partnerët e saj dhe institucionet evropiane do të veprojnë më të njëjtën ndjenjë përgjegjësie.
Sa i përket kërcënimeve për përjashtim të Greqisë nga zona e Shengenit, përfaqësuesi i OKB-së për emigracionin, Piter Saterland, ka deklaruar se kjo ide jo vetëm që është çnjerëzore, por përbën edhe shkelje të rëndë të parimeve themelore evropiane.
