Francë, anija e mallrave rrezikon përplasjen me bregun
Një anije mallrash gjysmë e përmbysur, e cila po lundron në brigjet e Atlantikut, mund të përplaset në brigjet jugperëndimore të Francës...

Një anije mallrash gjysmë e përmbysur, e cila po lundron në brigjet e Atlantikut, mund të përplaset në brigjet jugperëndimore të Francës, në rast se përpjekjet për ta kthyer sërish drejt do të dështojnë.
Sipas llogaritjeve të bëra nga ekspertët, një gjë e tillë mund të ndodhë gjatë mbrëmjes së ditës së martë.
Erërat e forta dhe dallgët e fuqishme mësohet të kenë shkaktuar animin e mallrave të cilat po transportoheshin, duke krijuar një situatë të tillë. Pas alarmit të dhënë, autoritetet franceze dhe holandeze kanë mundur të shpëtojnë nëpërmjet helikopterëve 22 anëtarët e ekuipazhit.
Grupi i ekspertëve, i cili tentoi që ta kthente mjetin lundrues në normalitet, tha se një gjë e tillë ishte e pamundur për shkak të erërave të forta.
Ata komunikuan gjithashtu se do të ketë një përpjekje të dytë në orët në vijim. Anija në bordin e saj ka afro 3600 ton lëndë drusore, makineri të industrisë së ndërtimit, si dhe 300 ton lëndë djegëse.
Një gjë e tillë ka shqetësuar edhe ambientalistët, pasi në rast se mjeti lundrues do të përplaset në brigjet e Francës, pasojat mund të rezultojnë fatale për ekosistemin.
GAZMEND KURTISHI
