Kulturë

Tiranë, ndahet nga jeta akademiku, Kristo Frashëri

01.02.2016 15:19

Është ndarë nga jeta në moshën 96 vjeçare një ndër historianët më në zë të Shqipërisë, akademiku Kristo Frashëri...

Ngushëllimet e para për familjen i ka dhënë Akademia e Shkencave, e cila njëherazi njofton se Frashëri ndërroi jetë mbrëmjen e 31 janarit nga një vdekje natyrale. Ndërsa ngushëllime për vdekjen e tij kanë dhënë edhe autoritetet më të larta shtetërore të Shqipërisë.
 
Kristo Frashëri është djali i parë i patriotit dhe rilindësit, Anastas Frashëri. Ai ka një krijimtari shkencore që mbulon një periudhë 70 vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij të parë mbi Jeronim de Radën, ai ka botuar me dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë.
 
Kristo Frashëri lindi më 17 dhjetor 1920 në Stamboll, Turqi.
 
Gjatë karrierës së tij, ai ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe nga lëvizja kulturore shqiptare. Historiani Frashëri mban shumë vlerësime, ndër të cilat janë dhe “Mjeshtër i madh” dhe “Nderi i Kombit”. Vetëm disa javë më parë, atij i është dorëzuar nga kreu i Bashkisë së Tiranës titulli “Qytetar nderi”.
 
LULJETA NDOKA