Maqedoni
Janeva raport për largimin e dy prokuroreve, Vasilevski: Duhet ndryshim urgjent i ligjit
01.02.2016 15:38
Prokurorja speciale, Katica Janeva, raportoi para komisionit treanëtarësh të formuar nga Këshilli i Prokurorëve Publik për atë se pse e ka zvogëluar numrin e prokurorëve ndihmës prej 12 në 10...

Ajo nuk është ankuar nga puna e dy kolegeve të saj, Lejla Kadriu dhe Marija Gjorevska, por Janeva edhe një herë ripërsëriti qëndrimin se dy prokuroret janë larguar sepse nuk ka pasur vëllim të madh të punës.
Komisioni treanëtarësh nuk është decid se çfarë duhet të ndërmerr në lidhje me vendimin e prokurores speciale, Katica Janeva, për të dëbuar nga ekipi i saj prokuroret, Lejla Kadriu dhe Marija Gjorevska.
Sasho Vasillevski, kryetar i Komisionit treanëtarësh, tha se nevojitet ndryshime në Ligjin për Prokurorinë Speciale, sepse në të kundërtën Këshilli i Prokurorëve dhe Prokuroria Speciale edhe në të ardhmen do të ballafaqohen me situata të ngjashme.
“Komisioni nuk ka kompetencë për të përcaktuar dhe të paraqitur ndonjë përfundim, por vetëm për të përcaktuar vërtetësinë e deklaratave, ndërsa vendimi është i Këshillit. Mendimi im personal është se urgjentisht duhet të bëhet ndërhyrje me amendamente në Ligjin për Prokurorinë Speciale Publike, në të kundërtën edhe në të ardhmen do të ballafaqohemi me çështje juridikisht të palogjikshme”- tha kryetari i Komisionit, Sasho Vasilevski.
Prokurorja speciale, Katica Janeva, tha se tani më Komisioni i formuar nga Këshilli i Prokurorëve Publik duhet të vendos, por ajo, sipas Ligjit për Prokurorinë Special Publike, ka të drejtë të vendosë me sa dhe me cilët prokurorë do të punojë.
“Anëtarët e Komisionit më pyetën pse unë e kam sjellë atë vendim, më tutje Këshilli i Prokurorëve duhet të sjellë vendim, duke u bazuar në deklaratën time dhe të dy prokurorëve. Dy prokuroret më nuk janë në punë”- theksoi prokurorja speciale publike, Katica Janeva.
Janeva njoftoi se në pajtueshmëri me Ligjin për Prokurorinë Speciale Publike, deri më 15 mars ka kohë për të shkruar raportin e punës së saj në periudhën prej 6 muajve dhe i njëjti do t’i dorëzohet Këshillit të Prokurorëve Publik dhe Kuvendit.
Brenda kësaj jave, përveç konferencës për shtyp të paralajmëruar nga Janeva, pritet edhe vendimi përfundimtar i Këshillit të Prokurorëve për të parë nëse ajo ka vepruar ligjërisht në shkarkimin e dy prokurorëve nga ekipi.
SANIJE DURAKU
