Maqedoni

Sindikata e MPJ-së në protestë, kërkon profesionalizëm dhe departizim

01.02.2016 17:41

Sindikata e Shërbimit Diplomatik e Maqedonisë organizoi protestë paralajmëruese përpara Ministrisë së Punëve të Jashtme...

Sindikata e Shërbimit Diplomatik e Maqedonisë organizoi protestë paralajmëruese përpara Ministrisë së Punëve të Jashtme, me ç’rast shprehën revoltën e tyre për, siç thanë, deprofesionalizmin e shërbimit diplomatik.
 
Sipas protestuesve, revolta e tyre vjen si pasojë e mungesës së profesionalizmit adekuat në këtë dikaster dhe mosekzistimit të sistemit efikas për punësim dhe përparim në karrierë në bazë të parimeve të drejtësisë dhe përvojës së punës. 
 
“Kjo protestë është precedent në diplomacinë maqedonase dhe mban mesazh të qartë ndaj kërkesave tona. Në emër të diplomatëve kërkoj që të respektohen kërkesat e sindikatës, përndryshe protestat do të radikalizohen”- deklaroi kryetari i SShDM-së, Sashko Todorovski.
 
Nënkryetari i sindikatës, Rexhep Saliu, theksoi se partitë politike nuk interesohen për këtë ministri dhe se përfaqësimi i shqiptarëve në MPJ është katastrofal në strukturën brenda ministrisë.
 
“Në 10 vitet e fundit fillon rrënimi i dalëngadalshëm i MPJ-së edhe atë duke anashkaluar strukturën më profesionale në ministri, duke pranuar persona që janë direkt partiakisht, sidomos ata që janë në pushtet edhe duke anashkaluar strukturën e cila me vite të tëra funksionoi në këtë ministri dhe e cila punët i ka kryer me profesionalizëm”- tha nënkryetari i SShDM-së, Rexhep Saliu.
 
Ministri i Jashtëm, Popovski, hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur ato të iniciuara politikisht. 
 
“Në Ministrinë e Punëve të Jashtme punojnë diplomatë të ndërgjegjshëm, profesionistë të shkëlqyer, që e njohin zanatit dhe dinë sa më mirë të prezantojnë Maqedoninë në botë. Të gjitha ndryshimet ligjore deri tani janë bërë në bashkëpunim me të gjithë të punësuarit e MPJ-së”- theksoi ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Dy kërkesat e protestuesve të sotëm ishin pezullimi dhe ndryshimi i Ligjit për punë të jashtme nga viti 2008 e këndej dhe aktet nënligjore në bazë të këtyre ndryshimeve, si dhe tërheqja e Ligjit për zyrtarët administrativ dhe Ligjit për të punësuarit në sektorin publik në vitin 2014.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU