Maqedoni
Bashkëpunimi në arsim midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, Komisioni për Politikë të Jashtme mbështet marrëveshjen
01.02.2016 17:53
Marrëveshja e nënshkruar midis Maqedonisë dhe Shqipërisë për bashkëpunim në sferën e arsimit është përkrahur nga Komisioni për Politikë të Jashtme...

Marrëveshja parashikon përpilimin e përbashkët të teksteve shkollore, shkëmbim të përvojave, profesorëve dhe ndarjen e bursave.
Deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi, tha se dy vendet kanë nevojë për një bashkëpunim të tillë dhe për t’u realizuar e njëjta nuk ka nevojë të ndahen mjete shtesë nga buxheti.
“Kjo marrëveshje për bashkëpunim konsideroj se është mjaft e rëndësishme dhe e nevojshme. Ky akt tanimë po institucionalizohet dhe vjen në kohën kur të dy vendet janë në proces të reformave në arsim, sistem ky mjaft i rëndësishëm për shoqërinë tonë”- deklaroi deputetja e BDI-së, Kaltrina Azizi.
Por, deputetja e LSDM-së, Lidija Dimova, e vetmja që kundërshtoi marrëveshjen, tha se Maqedonia nuk ka nevojë për një marrëveshje të tillë, pasi që bashkëpunimi me Shqipërinë parashikohet në marrëveshjen për stabilizim asociim.
“Nëse filloni të shihni ligjin, në të ka shumë punë dhe do të parashtroni pyetje se për çka është kjo marrëveshje. Theksohen një numër i madh i punëve për bashkëpunim. Tani jam e vetëdijshme për faktin se për shkak të marrëveshjes për stabilizim asociim ne kemi të nënshkruar bashkëpunim dypalësh me të gjitha shtetet, përpos me Serbinë, dhe në kuadër të asaj marrëveshje janë parashikuar të gjitha çështjet”- theksoi deputetja e LSDM-së, Lidija Dimova.
Parashikohet që marrëveshja të zbatohet nga komision i përbashkët midis dy vendeve, i përbërë nga numër të barabartë anëtarësh.
MERAL ISMAILI
