Maqedoni
Kiracovski: Pa rregullativë mediale nuk ka zgjedhje
01.02.2016 18:09
Zëvendësministri plotësues në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Aleksandar Kiracovski...

Zëvendësministri plotësues në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Aleksandar Kiracovski, ka publikuar sot dokumente për transfere të mbi 13 milion eurove nga ana e qeverisë gjatë tre viteve të fundit në xhirollogaritë e televizioneve: Sitel, Kanal 5 dhe Alfa.
Siteli ka marrë mbi 5 milionë euro, Kanal 5 dhe Alfa mbi katër milionë euro. Për periudhën e njëjtë prej tre viteve, tha Kiracovski, televizionit Alsat-M për reklama i janë transferuar 200 mijë euro dhe TV Telma-s vetëm 16 mijë euro, që është për 35 herë më pak në krahasim me paratë e transferuara te tre televizionet nën kontroll të pushtetit, tha Kiracovski.
“Është e qartë përse këto televizione 10 vite i gënjejnë qytetarët, në vend se ta kumtojnë të vërtetën. Për këtë shkak Gruevski nuk dëshiron të arrijë marrëveshje për media objektive”, tha Kiracovski dhe shtoi se pikërisht kjo është një ndër shkaqet se pse pa u siguruar kushte për raportim objektiv në media nuk është i mundur proces i rregullt dhe korrekt parazgjedhor dhe proces zgjedhor.
Ai potencoi se pa rregullativë mediale zgjedhje nuk do të ketë.
