Maqedoni
Dialogu politik, PDSh mund të braktis zbatimin e marrëveshjes
01.02.2016 18:13
Partia Demokratike Shqiptare paralajmëroi se mund të braktis zbatimin e Marrëveshjes së Përrzhinës...

Partia Demokratike Shqiptare paralajmëroi se mund të braktis zbatimin e Marrëveshjes së Përrzhinës, ndërsa pjesëmarrja e saj e deritanishme në të gjithë procesin e bisedimeve ka qenë kontribut për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike.
Kështu njoftoi sot lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, sipas të cilit marrëveshja ishte e dështuar që në fillim, pasi që nuk janë trajtuar çështjet shqiptare në këto bisedime ndërpartiake, ndërsa fajin ia adresoi partisë shqiptare në pushtet, e cila, sipas tij, është tërësisht e dorëzuar.
“Asgjë që ka të bëjë me shqiptarët, asgjë që ka të bëjë me marrëdhëniet ndëretnike, asgjë që ka të bëjë me implementimin e MO-së, bile A nuk është përmend në kuadër të dialogut të bisedimeve. Ky është fakti i madh i fuqishëm, që jam shumë afër, që këto bisedime dhe këtë dialog ta quaj manipulim të radhës”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi nuk deshi të zbulojë se kur PDSh do ta thotë fjalën e fundit lidhur me braktisjen e Marrëveshjes së Përzhinës, por la të kuptohet se një gjë e tillë mund të ndodh shumë shpejt.
Sa i përket regjistrit zgjedhor, Thaçi tha se përbën problemin më të vogël në krahasim me problemet tjera që ka vendi, përfshirë regjistrimin e popullsisë e të tjera.
NAIM RAMADANI
