Maqedoni

ShBSh: Shehapi diskriminon kulturën shqiptare; reagon Shehapi: 24% e projekteve janë të botuesve shqiptarë

01.02.2016 18:26

Nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë akuzojnë sekretarin shtetëror të Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapin...

Nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë akuzojnë sekretarin shtetëror të Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapin, si fajtorin kryesor, sipas tyre, për anashkalimin e shtëpive botuese shqiptare në konkursin e veprimtarisë botuese për vitin 2016.
 
Sipas tyre, prej emërimit të tij në postin e sekretarit shtetëror, Behixhudin Shehapi nuk ka bërë asnjë ndryshim në të mirë të shqiptarëve.
 
“ShBSh njofton opinionin e gjerë që nga 9 anëtarët e vet vetëm 6 prej tyre kanë konkurruar në konkursin e veprimtarisë botuese për vitin 2016, duke propozuar rreth 70 tituj, ndërkaq në bazë të rezultateve të konkursit, atyre u janë pranuar vetëm 10 tituj. Nga ana tjetër pjesa dërmuese e atyre që u janë përkrahur librat janë ose shtypshkronja, ose botues të sapokrijuar, si për shembull ShB ‘Libri’ nga Tetova, të cilës i janë miratuar 4 libra”- deklaroi kryetari i ShBSh-së, Qamil Rufati.
 
Por, nga ana tjetër sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, këto akuza i vlerëson si të pabaza, duke thënë se janë vetëm tendencë për baltosje të personalitetit të tij. 
 
“Faktet flasin diçka tjetër. Në veprimtarinë botuese këtë vit kemi një rritje të projekteve, rreth 2%. Prej 265 librave që Ministria e Kulturës ka përkrahur, 63 libra janë në gjuhën shqipe, shprehur në përqindje kjo i bie diku 24%”- tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
 
Sekretari Shehapi shprehet se pas ankesave të parashtruara nga ana e shtëpive botuese, numri i projekteve shqiptare do të rritet edhe më shumë. Ndërsa nga ShBSh kërkojnë që projektet e 6 anëtarëve të ShBSh të rishqyrtohen nga ana e kabinetit të ministres, pa ndikimin e sekretarit shtetëror. 
 
ERSAN PAJAZITI