Maqedoni
Kryetari i KGJ sulmon OJQ-të dhe ekspertët, Ushkovski: Ata e nxijnë imazhin e gjyqësorit
01.02.2016 18:37
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Branko Ushkovski, vlerëson se në Republikën e Maqedonisë janë implementuar standardet më të larta evropiane për avancimin e sistemit gjyqësor...

Ai shtoi se legjislacioni i Maqedonisë i ka ndërmarrë të gjitha dokumentet ndërkombëtare të cilat i dedikohen pavarësisë së gjyqësisë dhe të gjykatësit.
Për imazhin e keq të sistemit gjyqësor dhe mosbesimin në gjykata, Ushkovski akuzoi OJQ-të dhe analistët, të cilët sipas tij po e nxijnë gjyqësorin.
“Sigurt se perceptimi i tillë për gjyqësorin është imponuar nga të ashtuquajturit ekspertë eminentë dhe shoqata joqeveritare të qytetarëve, për të cilët e di që janë joqeveritare, por nuk e di se sa janë të pavarur”- deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Branko Ushkovski.
Ai theksoi se në tërësi Këshilli Gjyqësor e ka kapacitetin e nevojshëm dhe performancat për përmbushje cilësore dhe efikase të funksionit të tij.
Mirëpo akuzat u hodhën poshtë nga përfaqësuesit e OJQ-ve dhe deputetët e opozitës. Sipas deputetes, Lidija Dimova, Këshilli Gjyqësor merret me çështje anësore dhe jo me problemet reale.
“Vazhdimisht flisni se ka organizata joqeveritare që flasin kundër shtetit dhe nuk janë patriotë, dhe se të gjitha organizmat ndërkombëtare, për fat të keq, i dëgjojnë vetëm ata dhe nuk ju dëgjojnë ju. Ne realisht kemi problem”- tha deputetja e LSDM-së, Lidija Dimova.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi se në kërkesë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, MPB i ka dorëzuar të dhënat të cilat janë të nevojshme për pastrimin e listës zgjedhore.
Në kuadër të prioritete reformuese urgjente për Republikën e Maqedonisë, sipas Spasovskit, është edhe angazhimi për miratimin e Ligjit të ri për ndjekjen e komunikimeve.
Debati për prioritete reformuese urgjente për Republikën e Maqedonisë lidhur me sundimin e të drejtës dhe gjyqësinë u mbajt në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane.
SHPËTIM NUREDINI
