Maqedoni

Ahmeti takon ministrin Rot, Ahmeti: Zgjedhjet do të jenë të besueshme dhe demokratike

02.02.2016 11:15

Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot ka realizuar një takim pune me Mihael Rot, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme gjermane, si dhe ambasadoren e Gjermanisë në Maqedoni, Christine Althauser...

Ahmeti dhe Rot diskutuan rreth çështjeve që mbeten për t’u zbatuar nga marrëveshja e Shkupit, zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si dhe për integrimin euroatlantik dhe çështjen e emrit.
 
Kreu i BDI-së, Ahmeti, njoftoi ministrin Rot rreth rolit dhe angazhimit të BDI-së për arritjen dhe zbatimin marrëveshjes së Shkupit, si dhe pritjet e BDI-së që të respektohet ky dokument në tërësi, përfshirë edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve. 
 
Kodi konsensual zgjedhor u votua në nëntor të vitit të kaluar nga 104 deputetë. Ky kod, përfshirë nenet 78, 82 dhe 83, të cilat përcaktojnë datën e mbajtjes së zgjedhjeve më 24 prill 2016, u mbështet nga BDI, PDSh, LSDM dhe VMRO.  
 
Ahmeti shprehu bindjen që zgjedhjet do të jenë të besueshme, fer, demokratike dhe në përputhje me pritjet e komunitetit ndërkombëtar, por partitë politike duhet që mos të pengojnë punën e institucioneve përgjegjëse për zbatim të zgjedhjeve.
 
Në lidhje me çështjen e emrit, kryetari Ahmeti theksoi nevojën për ndihmë ndërkombëtare në tejkalim të çështjes që po mban peng integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.