Meksikë, vriten 11 adoleshentë gjatë festës së ditëlindjes
Ka përfunduar në tragjedi një festë ditëlindjeje në shtetin Guerrero të Meksikës. 11 adoleshentë, 15 vjeçarë, janë vrarë dhe masakruar nga persona të armatosur e të panjohur gjatë festës ku njëri prej të rinjve celebronte 15 vjetorin...

Policia shkoi menjëherë në zonë, por është ndeshur me rezistencën e personave që kanë hapur zjarr ndaj forcave të rendit. Ngjarja vjen një ditë pasi familjarët përkujtuan vrasjen makabre të 43 studentëve 2 vjet më parë po në Guerrero, një prej shteteve më të dhunshëm të Meksikës.
Asnjë person nuk është arrestuar për asnjë nga ngjarjet, teksa vendi është ndeshur shpesh me protestat e prindërve të zemëruar dhe të lodhur nga dhimbja.
Të paktën 324 persona janë vrarë në Guerrero që nga mesi i tetorit deri në dhjetorin e 2015, ngjarje këto të lidhura me trafikun e drogës. Guerrero është i njohur për kartelet e drogës dhe dhuna është intensifikuar shumë gjatë muajve të fundit në rajon.
Presidenti i vendit, Enrique Pena Nieto, u ka hapur luftë trafikantëve të drogës që prej ardhjes në pushtet, por shifrat janë sërish të frikshme. Sipas statistikave zyrtare, 17 mijë vrasje janë shënuar në vitin 2015 dhe 15,653 në vitin 2014. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
